Vendosni fjalën kyçe....

Voton Albin Kurti: Sot vendosim se kush do të vendosë në komunat tona


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë votën e tij rreth orës 10:00 në qendrën e votimit në Fakultetin Juridik në Prishtinë.

Në një dalje të shkurtër para medieve, Kurti u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë masivisht dhe u zotua se si kryeministër do të punojë për fuqizimin e komunave.

“Si qytetar i Republikës dhe si banor i kryeqytetit, porsa ushtrova të drejtën për të votuar në këto zgjedhje të lira e demokratike. Qytetarët e Republikës së Kosovës anembanë komunave të shtetit tonë, sot vendosin se kush do të vendosë në komunat e tyre. Përcaktohen kush do të jenë udhëheqjet e përfaqësuesit e tyre.

I inkurajoj gjithë qytetarët, pa dallim prejardhje, përkatësie apo pasurie, që të shfrytëzojnë këtë moment barazie, t’i përdorin mundësitë e barabarta që i kanë sot.

Si kryeministër i Republikës së Kosovës, unë bashkë me Qeverinë, do të punojë e bashkëpunojë shumë ngushtë në fuqizimin e komunave. Katër vjet të mbara e të mira i presin qytetarët e Republikës së Kosovës, anekënd Kosovës në të gjitha komunat ku jetojnë e punojnë.”- është shprehur kryeministri Kurti.