Vendosni fjalën kyçe....

Basha debat në mbledhje: Berisha po lidh non gratan me fatin e PD, nuk do lejoj votimin e vendimeve të SHBA-ve


Kreu i PD-së ka zhvilluar një debat në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD-së.

Basha ka folur për shpalljen non grata të Berishës dhe lëvizjes së tij për të hedhur në votim vendimin për daljen nga grupi parlamentar.

Basha në mbledhje deklaroi se Berisha po lidh shpalljen non grata me fatin e PD-së.

Kam shprehur disa herë dhe shpreh përsëri keqardhjen time për shpalljen non grata të Sali Berishës. Kam mbështetur e mbështes përpjekjet e tij për transparence e drejtësi. Për fat te keq ai po kërkon ta lidhë shpalljen e tij non grata me fatin e Partisë Demokratike. Në një anë ai po thotë nuk do të votojmë vendimin e qeverise amerikane për shpalljen e tij non grata. Nga ana tjetër po kërkon të votojë vendimin e Lulzim Bashës që është marrë në respekt të vendimit të SHBA. A nuk është e njëjta gjë në aspektin e pasojave politike për PD? Përtej tymnajave, plani i tij, nëse do të flitej për një plan, është shndërrimi i Partisë Demokratike në një bunker antiamerikan për interesin e tij.  Kjo është pa asnjë prespektivë qoftë për PD, qoftë për vetë Berishën. Dhe askush me një fije përgjegjësie ndaj sakrificës së demokratëve, duke nisur nga unë i pari nuk mund dhe nuk do ta pranojmë këtë“, është shprehur Basha.

Kryedemokrati Basha tha se izolimi nga SHBA-të është vdekja e PD-së dhe rrjedhimisht vdekja e shpresës së shqiptarëve duke theksuar se nuk do pranojë që të hidhet në asnjë forum vendimi i qeverisë amerikane.

Dua të përsëris sot se sa të jem unë kryetar i PD-së nuk do të pranoj të hedh në votim në asnjë forum të partisë demokratike vendime të qeverisë dhe institucioneve amerikane kundër deputetëve a të zgjedhurve të kësaj partie. Edhe sikur  të jem unë i godituri i këtyre vendimeve. Nuk do të pranoj e lejoj akte që çojnë në izolimin e Partisë Demokraitke nga aleati ynë strategjik dhe mirëbërësi më i madh në histori i  Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar, që janë SHBA. Izolimi nga SHBA është vdekja e Partisë Demokratike. Rrjedhimisht është vdekja për një periudhë jo të shkurtër e shpresës së shqiptarëve për rrotacionin e pushtetit dhe normalizmin e demokracisë në vend.   Orientimi perëndimor, proamerikan, euroatlantik e proeuropian janë për Partinë Demokratike me shumë se përcaktime ne statutin dhe dokumentet e saj. Janë identiteti i saj, kanë lindur në një orë me të, janë e do të jenë ADN-ja e saj. Vota e anëtarësisë së Partisë Demokraitke me obligon mua, forumet, të zgjedhurit dhe gjithë anëtarët e PD-së të qëndrojmë në këtë orientim, ta mbrojmë atë. Po lëshuam këtë busull nuk jemi më Partia Demokratike“, tha Basha.