Vendosni fjalën kyçe....

Basha takohet me zv.kryeministren e Kosovës: Zgjedhjet tuaja lokale, një leksion demokracie edhe për Shqipërinë


Këtë pasdite, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka pritur sot në një takim zv.Kryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla.

Në një njoftim për mediet nga selia blu, bëhet me dije se në këtë takim Basha i shprehu znj. Gërvalla urimet ndaj qytetarëve dhe forcave politike për mbajtjen e zgjedhjeve model në Kosovë, duke e quajtur “një leksion demokracie edhe për Shqipërinë”.

Dy zyrtarët ndanë mendime të njëjta mbi rëndësinë që ka dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e moscënimit të integritetit territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, unitetin politik me të cilin Kosova duhet të përfaqësohet në këtë dialog.

“Mbyllja e dialogut me njohje respektive është interesi i gjithë rajonit. Kontributi i parë që BE mund të japë në dialog është të bindë 5 vendet anëtare ta njohin Kosovën.”- thuhet në njoftim.

Kryedemokrati gjatë fjalës së tij theksoi se Shqipëria nuk mund të ketë interes më të lartë se interesat e Kosovës në marrëdhëniet rajonale. 

“Sikurse kanë treguar zhvillimet e fundit, nisma e Novisadit është konceptuar si makiazh i imazhit të Serbisë, ndërsa Beogradi siç dëshmojnë ngjarjet e këtyre javëve nuk ndahet nga fantazmat e së kaluarës duke risjellë platforma si ajo e Botës Serbe.”-vijon njoftimi.

Po ashtu u diskutua mbi Luginën e Preshevës, pasivizimin e adresave dhe diskriminimin që u bëhet shqiptarëve.