Me kaos është shoqëruar dita e parë e mësimit në universitetet anembanë vendit. Shkak për këtë është bërë vendimi i qeverisë për të mos lejuar në auditore studentët e pavaksinuar ndaj Covid-19 ose ata që nuk kanë pasur me vete një test PCR.
Në Tiranë dita e parë është shoqëruar me masa të rrepta, teksa në hyrjet e universiteteve ka pasur persona që kanë kontrolluar pasaportat e vaksinimit, testet PCR, mbajtjen e maskës apo temperaturën e studëntëve. Në disa fakultete ka pasur tension mes studentëve dhe punonjësve të ngarkuar me procedurën e mësipërme. Studentët kanë kërkuar të futen në fakultet po nuk janë lejuar.
Edhe në Shkodër, studentët nuk janë lejuar të futen. Rektorja Suzana Golemi ka thënë se studentët e pavaksinuar nuk do lejohen në futen në klasa ndërsa u ka kërkuar atyre që të bëjnë vaksinën duke shtuar se pasi të verifikohet sesa studentë nuk janë vaksinuar, do shihet çfarë masash mund të merren për të mos lejuar që studentëve t’u digjet viti shkollor. Në Universitetin e Vlorës, dhjetëra studentë nuk janë lejuar të futen në godinë pa pasaportë vaksinimi apo test PCR.
Ndryshe është paraqitur situata në universitetet e Korçës, Elbasan e Durrësit. Në këto universitete, është lejuar futja brenda e studentëve të pavaksinuar po ata do këshillohen që të bëjnë vaksinën në vijim sa më shpejt.
Një pjesë e studentëve janë shprehur për mediat se nuk duan ta bëjnë vaksinën me detyrim dhe se duhet të kenë liri zgjedhjeje në këtë drejtim.