Shqipëria ka nisur përpjekjet për ringritjen e rrjetit kryesor hekurudhor në vend që përfshin, linjën e re Durrës-Tiranë-Rinas, rehabilitimi i linjave Vorë-Hani i Hotit, Durrës-Pogradec.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) në një raport të posaçëm sqaroi se studimi i parafizibilitetit sugjeron një kosto prej 100 milionë eurosh për të lidhur Shqipërinë dhe Greqinë me hekurudhë nga Pogradeci në Kapshticë.
Durrës-Tiranë, punimet përfundojnë më 2023
Rehabilitimi i hekurudhës Durrës – Tiranë dhe ndërtimi i degës së re hekurudhore në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza (Rinasi), me kosto totale 90.45 milionë euro, tashmë ka përfunduar procedurat e prokurimit. Punimet do të kryhen nga Kompania italiane INC S.P.A. Kontrata e cila u nënshkrua me 3 shkurt 2021 parashikohet të përfundojë në shtator 2023.
Rehabilitimi i Vorë-Hani i Hotit vonohet nga Covid-19, kosto 127 mln euro
Projekti hekurudhor për rindërtimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit është pjesë e Planit Ekonomik të investimeve për Ballkanin Perëndimor. Projekti i detajuar për rehabilitim financohet përmes një granti prej 4.5 milionë eurosh të miratuar në dhjetor 2016. Punimet filluan dhjetor 2018 dhe pritej të përfundonin këtë vit, por projekti ka pësuar vonesa për shkak të Covid-19, ka sqaruar Ministria e Infrastrukturës.
Projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Han i Hotit kufiri me Malin e Zi) është pjesë e Rrjetit Qendror TEN-T në Ballkanin Perëndimor. Kjo është hekurudha ndërkombëtare e Shqipërisë që lidh vendin me Malin e Zi dhe më gjerë. Si i tillë, projekti ka ndikim të rëndësishëm ndërkufitar dhe për këtë arsye edhe rajonal. Përveç trafikut hekurudhor brenda vendit, linja lidh rrjetin e brendshëm të Shqipërisë me hekurudhën rajonale dhe rrjeteve europiane përmes Korridorit X.
Investimi përfshin një rregullim të plotë të të gjithë linjës hekurudhore (120.2 km dhe 13 stacione hekurudhore) për shpejtësia e trafikut deri në 120 km/orë, përfshirë instalimin e një sistemi të ri sinjalizimi dhe përmirësime të sigurisë me kosto totale 127 mln euro.
Linja e re Pogradec-Korçë-Kapshticë, kosto 100 mln euro
Projekti për rrjetin hekurudhor përfshin edhe ndërtimin e një hekurudhe të re Pogradec-Korçë me Greqinë. Studimi i para-fizibilitetit për lidhjen hekurudhore Shqipëri – Greqi nga Kapshtica është një aplikim i përbashkët i Hekurudhave Greke dhe Ministrisë Shqiptare e infrastrukturës dhe Energjisë, sipas Programit INTERREG rajonal bashkëpunimi Shqipëri – Greqi, i cili vlerësohet të kushtojë 900,000 euro.
Studimi i para-fizibilitetit filloi në shtator 2019 dhe përfundoi në mars 2021. Kostoja e investimit vlerësohet rreth 100 milionë euro për ndërtimin e lidhjes së re hekurudhore nga Pogradec në Kapshticë
Rehabilitimi i hekurudhës Durrës – Pogradec duhen më shumë se 140 mln euro
Kjo linjë është e gjatë 151 kilometër. 72 km e para Durrësit – Rrogozhinës – Elbasanit janë në punë aktualisht, ndërsa pjesa e mbetur prej 79 km nga Elbasani në Pogradec nuk janë në funksion, për shkak të gjendjes të keqe të linjës dhe të strukturave (urave dhe tuneleve) përgjatë saj. Segmenti Durrës – Rrogozhinë u vlerësua me prioritet më të lartë për ndërhyrjet e rehabilitimit me një kosto mbi 52 milionë euro, i gjithë Segmenti mund të kalojë vlerën e 140 milionë eurove.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor