Prokuroria e Kavajës ka regjistuar procedim penal për vrasje lidhur me vdekjen e katër turitëve rusë në një resort në plazhin e Qerretit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së premtes.
Autopsia s’e ka përcaktuar ende shkakun dhe orën e vdekjes së katër turistëve rusë, prokuroria e e Kavajës e ka regjistruar ngjarjen si vrasje, shkruan Shqiptarja.
Pas përfundimit të ekspertizës do vendoset nëse bëhet fjalë për vdekje aksidentale, vrasje apo vdekje për shkak të mosrespektimit të kushteve të sigurisë teknike në mjediset e hotelit në zonën e Qerretit ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Natalia Burenkova 58 vjeç, Sergey Burenkov 60 vjeç (burrë e grua), Ekaterina Burenkova 31 vjeç (vajza e çiftit) dhe Nikita Belousov 37 vjeç (i fejuari), ishin pjesë e një grupi prej tetë turistësh rusë që kishin ardhur prej një jave në Shqipëri për pushime.
Ditën e ngjarjes ata kishin qenë në Maqedoninë e Veriut e më pas janë kthyer në hotelin në zonën e Qerretit në Durrës. ndërsa katër të tjerët nuk kanë pasur asnjë problem, katërshja e familjarëve u gjetën të vdekur në mjediset e pishinës dimërore e jo të saunës siç njoftoi policia në njoftimin zyrtar.
Mbetet ende mister pse policia gënjeu për 48 orë me radhë lidhur me vendin ku u gjetën të vdekur turistët rusë.
Pjesë e ekspertizës për ngjarjen e rëndë është edhe ambasada ruse në Tiranë, e cila ka theksuar se pret një hetim të plotë nga ana e autoriteteve lidhur me vdekjen e katër shtetasve rusë.
Njoftimi i policisë për ngjarjen
“Kavajë/Informacion paraprak
Rreth orës 22:20, në Qerret, Kavaje,në ambientet e saunës të një hoteli, dyshohet se janë asfiksuar dhe për pasojë kanë ndërruar jetë shtetasit rus, K. S, 31 vjeçe, N. L, 58 vjeç, N. A, 37 vjeçe dhe S. A, 60 vjeç. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”