Vendosni fjalën kyçe....

Zbardhet plani i Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit – Nga Rama te ministrat, kush do të thirret për të dëshmuar


Zbardhet plani paraprak i Komisionit Hetimor për Zgjedhjet e 25 prillit. Ky komision nisi sot punimet ndërsa është zbuluar edhe dokumenti me 9 pikat, mbi të cilën PD-ja është bazuar për të ngritur Komisionin.

Mes këtyre pikave, përmendet edhe çështja e patronazhistëve, dhënia e fondeve të tërmetit për zgjedhje, tenderat publikë, punësimi i 13 mijë punonjësve të rinj në administratë, që sipas opozitës është bërë për qëllime elektorale. 

Po ashtu në këtë dokument përcaktohet edhe se kush janë zyrtarët që do të thirren për të dëshmuar në komision: kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, disa ministra dhe zyrtarë të tjerë.

PLANI:

Përveç fenomeneve kriminale të shtrira në të gjithë vendin të blerjes së votës përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe të hapur me rrjetet kriminale, Partia Demokratike ka konstatuar edhe 9 rrethana konkrete të parregullsive të rënda të procesit zgjedhor, si më poshtë vijon:

1.Përdorimi i të dhënave personale i 910.000 qytetarëve shqiptarë (patronazhistët) për presion ndaj votuesve dhe asgjësimin e fshehtësisë së votës;
2.Pagesa e 125 milionë eurove nga fondet publike përgjatë fushatës zgjedhore për shpërblimin e dëmeve për mijëra familje që u prekën nga tërmeti i vitit 2019, në shkelje të ligjit, me qëllim blerjen e votave familjare nga familjet në nevojë;
3.Dhënia e tenderave publikë dhe koncesioneve të mëdha, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe aktet nënligjore të KQZ-së. Shuma rekord prej 505 milionë eurosh u regjistrua në fushën e prokurimit publik në muajt Nëntor-Dhjetor 2020 për një total prej 878 kontratash dhe prokurimesh publike, në krahasim me mesataren vjetore prej 116 milionë për të njëjtën periudhë zgjedhore të mëparshme.
4.Shpenzimi i 120 milionë eurove nga bashkitë vendore për punë asfaltimi, fond i disbursuar nga Qeveria në periudhë zgjedhore për pushtetin vendor të kontrolluar nga e njëjta parti;
5.Rritja e pagave të administratës publike me 63 milionë euro në periudhë zgjedhore për qëllime elektorale;
6.Punësimi i përkohshëm i 13.000 punonjësve të rinj në administratën publike në periudhë zgjedhore për qëllime elektorale;
7.Disbursimi i parakohshëm i fondit të ndihmës ekonomike prej 2.5 milionë euro dhe shtesa e paligjshme e 20.000 familjeve në programin e ndihmës ekonomike në periudhë zgjedhore për qëllime elektorale;
8.Legalizimi i më shumë se 10.000 ndërtesave informale në shkëmbim të votës familjare, si dhe shfrytëzimi i këtij procesi nga agjencitë qeveritare në funksion të plotë të kandidatëve të Partisë Socialiste;
9.Mbyllja e pajustifikuar dhe e parregullt e kufijve shtetërorë me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, për të mos lejuar numrin e lartë të votuesve të diasporës shqiptare dhe të minoritetit grek të vinin të votonin në Shqipëri.