Rreth gjysma e komunave të Kosovës do kenë kryetarin e tyre pas zgjedhjeve të ditës së djeshme por gjysma tjetër kanë shkuar në balotazh e do duhet një raund tjetër për të zgjedhur kryetarin.
Prishtina, Prizreni, Gjilani, Gjakova e Podujeva janë ndër komunat e mëdha që shkojnë në balotazh. Lëvizja Vetëvendosje ka parë një rezultat zhgënjyes në zgjedhjet vendore pas suksesit në ato të përgjithshme.
Vetëvendosje nuk ka arritur të fitojë asnjë komunë në raundin e parë megjithëse shkon si e para në disa prej tyre në zgjedhjet e raundit tjetër, shkruan Koha.
Partia Demokratike është fituesja më e madhe mes partive shqiptare për sa i përket raundit të parë. Ajo ka fituar në Skënderaj, Ferizaj, Mitrovicë, Kaçanik e Hani e Elezit.
Lidhja Demokratike ka fituar në Pejë e Lipjan ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka arritur Suharekë e Deçan. Rekordin e mban Lista Serbe që ka fituar 9 nga 10 komuna ku ishte në garë.
Në zgjedhjet e ditës së djeshme morën pjesë rreth 770 mijë votues ose 43% e qytetarëve ndërsa në zgjedhjet e vitit 2017 numri ka qenë më i madh me 822 mijë votues.