Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet në Kosovë/ Isa Mustafa: Referendum që rrëzoi referendumin e Albinit e Vjosës


Në raundin e parë të zgjedhjeve Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka fituar dy komuna dhe ka shkuar në balotazh në nëntë tjera.

Lidhur me rezultatet, ish-kryetari i kësaj partie, Isa Mustafën ka reaguar duke thënë se këto zgjedhje janë “Referendumi i dytë” brenda një viti, që rrëzoi atë të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

 “Ishte ky ‘Referendumi i dytë’ gjatë këtij viti. Ose Referendum që e rrëzoi referendumin e Albinit dhe Vjosës. Në fakt këto zgjedhje dëshmuan paqëndrueshmërinë e rezultateve nga zgjedhjet e përgjithshme dhe e vunë në dyshim të plotë bazueshmërinë e këtij rezultati.”- ka deklaruar Mustafa për Express.

Ish-kreu i LDK-së thotë së është fatale që Lëvizja Vetëvendosje dhe lista “Guxo” të mos e fitojnë asnjë komunë.

“Është fatale që VV me Guxo brenda saj të mos e fitojnë asnjë komunë, duke ndenjur ulur në Presidencë, Qeveri dhe Parlament!”- ka deklaruar Mustafa.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 17 tetorit e nxjerrin LDK-në fituese në Komunën e Pejës dhe të Lipjanit. Kandidatët e LDK-së në Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Fushë Kosovë, Vushtrri, Viti, Istog, Junik dhe Dragash, do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve, pasi nuk kanë arritur ta sigurojnë fitoren me raundin e parë.