Gjykata Kushtetuese ka rikthyer sot për shqyrtim çështjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Sikurse bëhet me dije në vendimin e gjykatës, seanca për këtë do të zhvillohet në datën 2 nëntor në orën 10:00.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese kishte vendosur në qershor të këtij viti pezullimin e gjykimit të çështjes dhe i ishte drejtuar për opinion Komisionit të Venecias.
Por pas marrjes së këtij opinioni, ka vendosur të rikthejë për shqyrtim çështjen.
“Gjykata e mbledhur menjëherë vlerësoi se duhet të rihapet seanca plenare publike, pasi me ardhjen e Opinionit amicus curiae ka rënë shkaku i masës së pezullimit të shqyrtimit të çështjes.”- thuhet në vendim.
Shoqata e Bashkive i është drejtuar me një padi gjykatatës Kushtetuese përmes së cilës kërkon ripërsëritjen e zgjedhjeve.
VENDIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE
Në Gjykatën Kushtetuese është në shqyrtim çështja nr. 7 (S) 2019 e Regjistrit Themeltar me kërkuese Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, subjekte të interesuara, Presidentin e Republikës, Kuvendin e Shqipërisë, Këshillin e Ministrave, Avokatin e Popullit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Partinë Bindja Demokratike dhe me objekt:”
- Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.
- Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.”
Si është njoftuar më parë, në seancën plenare publike të datës 23.06.2021, Gjykata, në bazë të nenit 44/b të ligjit nr. 8577/2000, ka vendosur të pezullojë gjykimin e kësaj çështjeje dhe të kërkojë amicus curia nga Komisioni i Venecies.
Në datën 18.10.2021, ora 15:54, në rrugë elektronike, Komisioni i Venecies i ka dërguar Gjykatës Opinionin amicus curiae “Mbi kompetencën e Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të zhvilluara në datën 30 qershor 2019” (në gjuhën angleze dhe franceze), i miratuar në Sesionin e 128-të të tij, datë 15-16 tetor 2021 (Dokumenti CDL-AD(2021)026).
Për sa më sipër, Gjykata e mbledhur menjëherë vlerësoi se duhet të rihapet seanca plenare publike, pasi me ardhjen e Opinionit amicus curiae ka rënë shkaku i masës së pezullimit të shqyrtimit të çështjes.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese,
V E N D O S I:
– Konstatimin e rënies së shkakut të masës së pezullimit të çështjes nr. 7 (S) 2019 të Regjistrit Themeltar.
– Rihapjen e seancës plenare dhe caktimin e saj në datën 02.11.2021, ora 10:00.
– Njoftimin e pjesëmarrësve në gjykimin kushtetues për datën e zhvillimit të seancës plenare.
– Dërgimin menjëherë të një kopjeje të opinionit zyrtar amicus curia pjesëmarrësve në gjykimin kushtetues.