Vendosni fjalën kyçe....

Haradinaj akuza Kurtit: Operacionet policore janë bërë qëllimisht për të dorëzuar Veriun e Kosovës


Kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka kritikuar ashpër qeverinë për aksionet policore në veri.

Ai ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti i ka iniciuar qëllimisht këto operacione më qëllim për të dorëzuar Veriun e Kosovës.

“Është interesant. Ne jemi këtu deputetë dhe politikanë dhe mundohemi me e kthy diskutimin te morali i trupave në terren. Unë nuk e kam qëllimin te morali i trupave se i besoj Policisë së Kosovës, i besoj ushtarit të Kosovës. Unë frikën e kam te ti kryeministër, që ti qëllimshëm i ke ndërmarrë dy veprime me e dorëzu veriun. Unë besoj që është skenar i yti me i marrë dy veprime, me e lënë pastaj zbrazët që me u forcu kriminelët dhe i ke bërë qëllimshëm. Kaq!”-u shpreh Haradinaj në seancën e Kuvendit.

Haradinaj u shpreh se pas dy operacioneve policore, Kosova ka dalë më e dobët.

Kryeministri Albin Kurti iu përgjigj atij se në veri nuk ka pasur kurrë më parë më shumë rend e ligj sesa sot.

“Në veri të Ibrit ka më shumë rend e ligj tani e sot sesa kurdoherë tjetër që nga shpallja e pavarësisë. Asnjë barrikadë nuk ka në veri të Kosovës. A ka shumë punë dhe sfida? Po, sepse ato janë të trashëguara. Por një nga një dhe krejt do t’i zgjidhim.”- deklaroi Kurti.

Ai i përmendi Haradinajt takimin me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq në vitin 2018: “Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur deputeti Haradinaj e priste në zyrë kriminelin Milan Radoiçiq. Atëherë ka qenë veriu i rrezikuar. Rreziku ka qenë nga marrëveshjet gjentelmene me kriminelë. Nuk e rrezikon veriun Policia. Veriun e rrezikojnë kriminelët dhe bashkëpunimi i tyre me politikanë të të gjitha ngjyrave dhe përkatësive. Dhe kjo ka ndodhur publikisht në korrik të vitit 2018.”