Pas tragjedisë 15 tetorit, ku u gjetën të pajetë 4 turistë rusë në një hotel të Qerretit, ka folur për mediet një prej kolegeve dhe miqve të viktimave.
Më 18 tetor gazeta ruse “Courier.Sreda” bisedoi me kolegen e Sergei Burenkov, të identifikuar vetëm si Anastasia. Vajza shprehu versionin e saj mbi vdekjen e katër të njohurve të saj. Anastasia tha se pyet veten se si ishte e mundur që miqtë e saj të mund mbyten në një dhomë kaq të madhe në të njëjtën kohë.
“Sergei ishte një person shumë i mirë, ai nuk i bëri asgjë të keqe askujt. Punonim së bashku. Ajo që ndodhi ishte një tronditje për ne! Ata vdiqën menjëherë, as nuk lëvizën. Të gjithë ishin në vendet e tyre. Jam e sigurt se ata nuk mund të mbyten papritmas të gjithë së bashku ose të helmojnë veten në çast. Dikush do të lëvizte ose do të rrëzohej, por ata ishin të ulur në vendet e tyre. Nuk ka gjurmë. Ndoshta rezultatet e vërteta të autopsisë nuk do të dalin në media. Ata nuk kishin kohë as për të ngrënë apo pirë asgjë… Dhe ata që shkruajnë lloj-lloj marrëzish, i uroj që të mos e ndiejnë dhimbjen që na pushtoi”- tha mikesha e turistëve të vdekur në Shqipëri.
Vajza tha gjithashtu se ndërsa trupat e të vdekurve nuk po dërgohen në shtëpi, janë duke u kryer disa ekzaminime.
“Derisa të na i japin trupat, ne jemi duke pritur për një ekzaminim. Emri i dhëndrit ishte Nikita. Unë nuk e kam parë atë, njoh babanë e saj më mirë – Sergein. Tani ne thjesht po presim.”- tha Anastasia.
Viktimat e ngjarjes së ndodhur më 15 tetor ishin familjarët Sergey Burenkov, 60 vjeç, dhe bashkëshortja Natalya Burenkova, 58 vjeç, së bashku me vajzën e tyre, Ekaterina, 31 vjeç, dhe partnerin e saj, Nikita Belousov, të cilët u gjetën pa shenja jete në pishinën dimërore të hotel “Gloria”. Deri më tani, dyshohet se ata kanë ndërruar jetë nga klori në pishinë ose mosventilimi i ambientit. Por ende asgjë nuk është konfirmuar.