Vendosni fjalën kyçe....

Problemi me urbanët, zbulohen kërkesat drejtuar Ramës e Veliajt, nga 1 nëntori do ofrohet vetëm 20% shërbim


Pas njoftimit ditën e djeshme për operim me vetëm gjysmën e urbanëve në Tiranë, Unioni i Transportit Publik, ka bërë me dije kërkesat drejtuar qeverisë e bashkisë.

Unioni bënte me dije se që prej një viti e gjysmë, që kur ka rifilluar shërbimi urban, qeveria e bashkia nuk kanë plotësuar kërkesat duke e çuar këtë biznes drejt falimentit.

Sipas shoqatës së transportit publik, rritja e çmimi të naftës, mosindeksimi i çmimit të biletës ka shkaktuar gropë financiare.

Në kërkesën e tyre drejtuat qeverisë e bashkisë, Unioni i Transportit Publik kërkojnë indeksimin e çmimit të biletës, heqjen e taksës për naftën e përdorur nga mjetet e transportit publik si dhe uljen e TVSH-së.

Po kështu ata kërkojnë kompensimin me 30 lekë të biletës e 600 lekë të abonesë duke paralajmëruar se nga data 1 nëntor do ofrojë vetëm 20% shërbim.

 “Ne kemi kërkuar indeksimin e çmimit, që të shohim se ku janë të ardhurat e shërbimit të transportit. Kemi të ardhura vetëm nga bileta. Duhet të ulemi e të shohim një gjuhë të përbashkët për plotësimin e kërkesave, që të mos shkojmë te rritja e çmimit. Duhet ta kuptojnë të gjithë se ne nuk jemi në luftë me bashkinë apo qeverinë, por duam të ulemi në tryezë të përbashkët, pasi nëse nuk merren masa, do shkojmë drejt falimentimit. Rritja e çmimit të naftës ka ndikuar direkt në të ardhurat e shërbimit të transportit. Ne e kishim paralajmëruar reduktimin prej kohësh, nëse nuk merreshin masa, dhe do të shkojmë akoma më tej në reduktim.” – thanë ata në një deklaratë për mediat.