Vendosni fjalën kyçe....

“95% e demokratëve më duan mua” – Paloka i përgjigjet Bashës: Meqë je i bindur mos jep dorëheqjen, kërko votëbesim dhe ndal përçarjen


Deputeti i PD-së dhe njëherazi kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka ka reaguar pas deklaratës së liderit të partisë Lulzim Basha se 95% e demokratëve duan atë që të udhëheqë.

Paloka i kërkon Bashës që pas kësaj deklarate, të kërkojë votëbesimin e demokratëve për drejtimin e partisë dhe të ndalë përçarjen mes demokratëve.

“Lul! Nëse ke bindjen se 95% e demokratëve të mbështesin, atëhere na e hiq këtë siklet ku na ke futur të gjithëve. Mos jep dorëheqje, nëse ke bindjen që ke vepruar drejtë dhe për këtë ke mbështetjen e 95% të demokratëve, kërko votëbesimin e tyre dhe ndale përçarjen që po thellohet çdo ditë e më shumë prej vendimit tënd personal të 9 shtatorit!

Nëse 51 % e jo 95 % e demokratëve të mbështesin, ke gjithë legjitimitetin të vazhdosh në krye të PD e të gjithë demokratët kanë detyrimin të bashkohen për të bërë betejën me atë që është armiku jo vetëm i demokratëve po i gjithë shqiptarëve, Edvin Kristaq Ramën!

Po për këtë, pas situatës që është krijuar, më parë duhet të marrësh votëbesimin e demokratëve. Vota e atyre që përfaqësojmë duhet të vendosë për të gjithë ne!”- shkruan Paloka.

Edi Paloka është një ndër deputetët demokratë të cilët janë grupuar krah liderit historik të PD-së Sali Berishës.

Ky reagim i Palokës vjen pas deklaratës së Lulzim Bashës se sipas sondazheve të tij, 95% e demokratëve duan atë që t’i udhëheqë: “Nga sondazhet e mia, 95% e demokratëve duan të udhëheq betejën ndaj Rama-Doshi-Rakipi, e të udhëheq betejën për të dalë nga llumi i trazicionit.”

Basha tha gjithashtu se është treguar i vetëpërmbajtur dhe nuk ka dalë para anëtarësisë së PD-së si Berisha, pasi siç shprehet ai nuk dëshiron ta vendosë Berishën në “pozitë inferioriteti”. Nga ana tjetër, Basha kërcënoi mbështetësit e Berishës në parti, se do u japë atë “faturë që nuk ua ka dhënë në këto 8 vite”.