Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorja Kim takon drejtuesit e Komisionit për Punët e Jashtme: Partneriteti SHBA-Shqipëri i tejkalon politikat partiake


Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim, është takuar sot me drejtuesit e Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme.

Ambasadorja Kim foli me kryetaren e këtij komisioni Mimi Kodhelin dhe zv.kryetarin Tomor Alizoti, mbi rrugën për forcimin e bashkëpunimit midis Amerikës dhe Shqipërisë, në fushat e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit.

Në një njoftim të ambasadës së SHBA-ve, thuhet se Kim shprehu vlerësimin për vendimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë për të ofruar përkohësisht një strehë të sigurtë për qytetarët e shpërngulur afganë.

“Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për vendimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë për të ofruar përkohësisht një strehë të sigurtë për qytetarët e shpërngulur afganë.

Ajo përsëriti gjithashtu mbështetjen e SHBA për përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke theksuar deklaratat e fundit të Sekretarit Blinken, ku ai bën thirrje për hapjen e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur. Ambasadorja Kim,

Kryetarja Kodheli dhe Zv. Kryetari Alizoti ranë dakord për të punuar ngushtë së bashku për të çuar përpara zbatimin e reformës në drejtësi; forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe aftësive të Shqipërisë si anëtare e NATO-s; dhe rritjen e tregtisë dhe investimeve midis dy vendeve tona. Ata ranë dakord se, qoftë në Tiranë apo Uashington, rëndësia e partneritetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë i tejkalon politikat partiake.”– thuhet në njoftimin e Ambasadës.