Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi në Këshillin e Integrimit: 6 vjet pas reformës, drejtësia me zero rezultat


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, e ka vlerësuar si të dështuar Reformën në Drejtësi në 2 objektivat madhore: eficenca dhe dhënia fund e pandëshkushmërisë së zyrtarëve të lartë.

Me ironi, Bardhi u  shpreh se nëse vazhdohet kështu edhe në vitin e 16 të zbatimit të kësaj reforme, do quhet sukses thjesht fakti që po plotësohen gjykatat.

“Për fat të keq edhe përse kemi hyrë në vitin e gjashtë të zbatimit të refiormës në Drejtësisë ka zero rezultate në raport me të dy objektivat madhore që kishte Reforma në Drejtësi. Jam i sigurt se nëse vazhdojmë me të njëjtin njësi matëse apo vlerësuese për arritjet e reformës në Drejtësi edhe kur të jemi në vitin e 16-të të zbatimit të Reformës, do të vazhdojmë të quajmë ‘sukses’ faktin që po plotësojmë gjykatat e Apelit.

Siç merr në konsideratë edhe raporti i Progresit, Gjykata e Apelit ka një numër sa gjysma e gjyqtarëve që do të duhej të kishin dhe kjo ka sjellë të kundërtën e asaj që prisnin qytetarët, një drejtësi me cilësi dhe në kohë të shpejtë.”– tha Bardhi në takimin e Këshilit Kombëtar të Integrimit.

Sekretari i Përgithshëm i PD-së shprehu gjithashtu mosdakordësinë për prioritetet e vendosura nga qeveria, e cila sipas tij po anashkalon integrimin për qëllime politike dhe për të mbuluar korrupsionin.

“Unë nuk bie dakord që të anashkalohen prioritetet e procesit të integrimit në raport me reformën në drejtësi dhe të konsiderohen prioritet çështje që nuk kanë interes për procesin e integrimit, siç është zgjatja e mandatit të 14 individëve në Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit apo organeve me vetingut. Nuk është prioritet, sepse nuk ka asnjë ngërç kushtetues në atë drejtim. Kushtetuta ka dhënë zgjidhje. Nëse do të kthehemi në kohë dua t’u kujtoj kolegëve të maxhorancës se në 2018-ën ishin ata që shkurtuan gjysëm për gjysëm stafin mbështetës të organeve të vetingut. Në atë kohë opozita ngriti zërin dhe kërkpi që organet e vetingut të ishin të pajisura me staf, financa dhe burime të mjaftueshme njerëzore.

Kryeministri tha atëherë ‘duke parë, duke bërë’ dhe kërkesa e organeve të vetingut për staf dhe mbështetje nuk u mor në konsideratë. Numri i këshilltarëve u përgjysmua, duke vështirësuar dhe duke vonuar ecurinë e procesit të integrimit. Nuk ka një aleat më të mirë për një qeverisje të korruptuar sesa një sistem drejtësie i destabilizuar, siç është sistemi aktual i drejtësisë në Shqipëri. Destabiliteti i sistemit të drejtësisë ka sjellë pasoja të rënda për vendin, pasi nga një problematikë për korrupsionin dhe krimin e organizuar, kemi kaluar në nivelin e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.”– tha Bardhi.

Ai u shpreh se në situatën kur krimi dhe korrupsioni kanë kapur shtetin, pastrimi i politikës dhe ndëshkimi i zyrtarëve të korruptuar duhet të jetë prioritet kryesor.