Vendosni fjalën kyçe....

KPK e shkarkon nga detyra, gjyqtarja Manjola Bejleri: Vendim i padrejtë, i mbështetur në të pavërteta


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra me shumicë votash, Manjola Bejlerin, e cila është gjyqtare pranë Gjykatës e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Pas kësaj, gjyqtarja Bejleri e ka konsideruar të padrejtë vendimin e marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga Xhensila Pine, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari.

Në një reagim për mediat, Bejleri ajo u shpreh se vendimi për shkarkimin e saj është në kundërshtim me ligjin.

“Ky është një vendim haptazi i padrejtë, në kundërshtim me ligjin dhe të gjithë provat e paraqitura. Relacioni i KPK ishte i mbështetur në të pavërteta, hamendësime dhe në shifra të manipuluara e të dyfishuara qëllimisht në mënyrë flagrante. Unë kam një karrierë prej mbi dy dekadash si gjyqtare, kam gjykuar me mijëra çështje dhe e kam shumë të qartë që kam prekur dhe shumë interesa.

Nga zhvillimi i seancës dëgjimore u duk qartë që komisioni nuk i kishte lexuar e studiuar fare prapësimet e mia dhe ato dhjetëra prova të paraqitura nga unë rishtazi, që evidentonin gabimet e rënda të tyre për analizën time financiare. Një komision që zhvillon seancë dëgjimore prej disa orësh, pa dosje përpara dhe pa bërë asnjë pyetje të vetme, tregon qartë që vendimi ishte i paracaktuar.

Ky vendim nuk e cenon aspak dinjitetin dhe integritetin tim profesional, por më vjen keq që i gjithë kontributi im i dhënë prej shumë vitesh për të drejtën dhe Reformën në Drejtësi, të gjykohet nga nivele dhe në standarte të tilla. Kam luftuar gjithmonë për të drejtën dhe do të vazhdoj ta bëj.”- tha gjyqtarja Bejleri.