Vendosni fjalën kyçe....

Putin shpall javën e mospunës për të frenuar përhapjen e koronavirusit


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se nga data 30 tetor do të nisë “java mbarëkombëtare e mospunës”, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Putin tha se rajonet me situatë më të rëndë mund ta nisin këtë javë nga 23 tetori dhe shtoi se ajo mund të zgjatet, varësisht nga situata.

Të mërkurën, autoritetet shëndetësore ruse raportuan për 1,028 viktima nga koronavirusi.

Kjo është shifra më e lartë në Rusi prejse ka nisur pandemia në mars të vitit të kaluar.

“Tani për tani, është e rëndësishme që të zvogëlohet kulmi i valës së re të pandemisë”, tha Putin.

Ai shtoi se punëtorët duhet të paguhen për periudhën që nuk punojnë.

Rusia ka numrin më të lartë të viktimave nga koronavirusi në Evropë – 226,353 – dhe të katërtin më të lartë në botë, pas Shteteve të Bashkuara, Brazilit dhe Indisë.

Një ditë më herët, ky vendi regjistroi 34,074 raste të reja të të infektuarve.

Vetëm 35 për qind e popullsisë gati 146-milionëshe të Rusisë është vaksinuar plotësisht.