Vendosni fjalën kyçe....

Alqi Bllako reagon pas padisë së LSI-së në SPAK: Unë kam patur zero rol në çdo procedurë vendimmarrëse për dhënien e koncesioneve


Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe deputeti Alqi Bllako, ka reaguar pas padisë së LSI për inceneratorin e Fierit.

Bllako shprehet në një pronocnim për televizionin “News24”  se në kohën kur punonte si Sekretar në Ministrinë e Mjedisit të drejtuar nga Lefter Koka, ai ka pasur zero rol në çdo procedurë vendimmarrëse për dhënien e koncesioneve.

“Jam njohur nëpërmjet medias me padinë e tretë apo të katërt për të njëjtën çështje, e cila rihidhet në treg me qëllimin e vetëm për të prodhuar zhurmë.

Pavarësisht pozicionit që kam mbajtur si Sekretar i Përgjithshëm pranë Ministrisë së Mjedisit, ligji për konçensionet dhe partneritetin publik-privat i ka fare qartë të përcaktuara rolet dhe detyrat e çdo institucioni të përfshirë në proçes apo titullar/anëtar të komisioneve përkatëse.

Duke shprehur besimin se kolegët e çdo institucioni kanë zbatuar rigorozisht ligjin, deklaroj me përgjegjësi të plotë se kam patur zero rol në çdo proçedurë vendimmarrëse për dhënien e këtyre konçesioneve direkt apo indirekt. Në çdo rast, ju përket vetëm organeve të drejtësisë të përcaktojnë nëse ka ose jo shkelje; dhe nëse po, cilët janë personat përgjegjës.
Sa i përket atyre që vazhdojnë të hedhin në treg akuza të tilla, mendoj se vetingu i politikanëve do t’i jepte njëherë e përgjithmonë fund kësaj tallje publike.”-
ka deklaruar Bllako.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dorëzoi sot në SPAK kallëzimin e tretë për inceneratorët, këtë radhë për atë të Fierit.

Në kallëzimin e LSI-së akuzohet ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie sot deputet i Partisë Socialiste, Alqi Bllako si dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi se kanë kryer dy vepra penale atë të ‘Shkeljes së barazisë në tendera’ dhe ‘Shpërdorimin e  Detyrës’.