Rritja e arkëtimeve nga TVSH-ja me ritme dyshifrore gjatë periudhës 9-mujore si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të mallrave dhe sasive të zhdoganuara ka përmirësuar ndjeshëm edhe rimbursimin e TVSH-së për bizneset.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave gjatë 9 mujorit 2021, TVSH e rimbursuar arriti në 20,7 miliardë lekë ose 168 milionë euro duke shënuar rekord ndër vite që kur kjo praktikë nisi të aplikohej.
TVSH e rimbursuar ishte 75% më e lartë se fakti i vitit të kaluar, teksa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se ka shlyer këstet e detyrimeve ndaj kompanive të mëdha, Gazsjellësit TAP dhe kompanisë Bankers Petroleum.
Vetëm gjatë gatë tremujorit të tretë të vitit 2021, janë rimbursuar gjithsej 5,42 miliard lekë, ku rreth 1,25 miliard lekë e vlerës së rimbursuar shkoi për pagesën e kësteve për tatimpaguesit e mëdhenj në listën e tatimpaguesve me këste. Ndërsa numri i kërkesave të miratuara dhe rimbursuara gjatë kësaj periudhe ka qene në total 308 me vlerë rreth 4,17 miliard lekë.
Sakaq borxhi i TVSH -së parimbursuar po shkon drejt zeros, pasi në fund të tremujorit të tretë të 2021, treguesi arriti vlerën e rreth 1,72 miliardë lekëve, duke shënuar një rënie me 85 % krahasuar me stokun në fund të tremujorit të tretë 2020 dhe një rënie me 71 % krahasuar me stokun ne fund të tremujorit paraardhës.
Gjatë gjithë periudhës 9 mujore tatimet çuan për rimbursim 54 për qind e të TVSh-së së arkëtuar. Të dhënat tregojnë se për 9 mujorin tatimet arkëtuan 41 miliardë lekë të ardhura nga TVSH-ja, ku gati gjysma tyre shkuan për rimbursim.
Të ardhurat bruto nga TVSH shënuan 132 miliardë lekë me rritje me 26% në 9 mujor krahasuar me faktin e vitit 2020. Ndërsa të ardhurat neto pa përfshirë rimbursimin arritën në 111.1 miliardë lekë me rritje rreth 20% në krahasim me faktin 2020.
Administrata Tatimore për këtë vit parashikon të rimbursojë 173 milionë euro TVSH për bizneset. Në rast se një subjekt duhet rimbursuar mbi 1.2 milionë euro, pagesa mund të bëhet me këste.
Gjatë vitit të kaluar është dhënë për rimbursimin e TVSH-së rreth 193 milionë euro që u është shpërndarë 1360 subjekteve si eksportues, fason, apo edhe grumbullues , duke tejkaluar planin fillestar me 4.5 miliardë lekë.
Rimbursimet e larta kanë shuar detyrimet e prapambetura në këtë zë. Në fund të vitit 2020 Ministria e Financave raportoi 9,7 miliardë lekë detyrime të prapambetura në zërin “Nga rimbursimi i TVSH”-së. Deri në muajin mars 2021 këto detyrime u përgjysmuan dhe tani janë shuar të gjitha./B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor