Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka folur për mediet mbi pandeminë e Covid-19, ndërsa iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me vaksinimin e detyrueshëm të studentëve.
Brataj tha për “Report TV” se detyrimi i studentëve për të kryer vaksinën anti-COVID nuk është i drejtë dhe korrekt dhe theksoi se vaksinat anti-COVID nuk janë në listën e vaksinave të detyrueshme dhe si pasojë nuk mund të trajtohen si të tilla.
Megjithatë e këshilloi marrjen e vaksinës për studentët, për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të familjarëve.
“Vendimet ose këshillimet e Komiteti të Ekspertëve janë që çdo shqiptarë mbi 18-vjeç në administratë apo universitet ka të njëjtat detyrime, nuk dua t’i ndajë studentët nga pjesa tjetër. Por nuk është detyrim është këshillim, vaksinat anti-COVID nuk janë në listën e vaksinave të detyrueshme. Ligji i sëmundjeve infektive, ka rregulla të caktuara ku ndalon hyrjen, lëvizjen, izolimin dhe jemi akoma në kushte pandemie, kështu që duhet të jetojmë me COVID-19 edhe për disa muaj.
Fakti që janë veçuar studentët nuk është i drejtë, nuk është korrekte, nuk e ka askush me studentët. Duhet të ruajnë shëndetin e tyre, se kanë një justifikim ‘jemi të rinj’, por ata duhet të mbrojnë familjen e tyre. Kjo u vërtetua në valën e nëntorit dhe janarit, ku humbën jetën shumë prindër dhe adoleshentë. Nuk duam të përsëritet përsëri një gjë e tillë, por kuptohet që Ministria e Shëndetësisë apo Komiteti i Ekspertëve nuk ka as policë e as roje që ti ndjeki të gjithë nga mbrapa. Qytetarët vërtetë i kërkojnë të gjitha këto, por atë maskën, distancën apo vaksinën duhet të jetë dikush nga mbrapa që ti thotë përse e vë apo përse nuk e vë.”– deklaroi Brataj.