Ish-presidenti amerikan Donald Trump do themelojë aplikacionin e tij të mediave sociale, TRUTH Social, për të cilin tha se do ‘qëndronte përballë kompanive të mëdha të teknologjisë’ si Twitter dhe Facebook që e kanë bllokuar atë nga platformat e tyre.
TRUTH Social do të krijohet përmes një kompanie të re të formuar nga një bashkim i Grupit ‘Trump Media and Technology’ dhe një kompanie speciale për blerje (SPAC), sipas një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga të dyja organizatat.
“Ne jetojmë në një botë ku talibanët kanë një prani të madhe në Twitter, megjithatë Presidenti juaj i preferuar amerikan është bllokuar. Kjo është e papranueshme,” – tha Trump në një deklaratë me shkrim të përfshirë në njoftim.
“Jam i ngazëllyer që do të tregoj së shpejti të vërtetën time të parë në TRUTH Social. TMTG u themelua me një mision për t’i dhënë një zë të gjithëve. Jam i emocionuar që së shpejti do të filloj të ndaj mendimet e mia mbi TRUTH Social dhe të luftoj kundër Big Tech.” – tha ai.
Rrjeti social, i vendosur të nisë në versionin ‘Beta’ muajin e ardhshëm dhe prezantim i plotë në tremujorin e parë të 2022, është i pari nga tre fazat në planet e kompanisë, i ndjekur nga një shërbim abonimi me i quajtur TMTG+ që do të shfaqë argëtim, lajme dhe podkaste, sipas njoftimit për shtyp.
Një përfaqësues i Trump i cili nuk pranoi të identifikohet pohoi përmbajtjen e njoftimit të lajmeve TMTG për Reuters. Zëdhënësja e Trump Liz Harrington gjithashtu postoi një reagim në Twitter.
“Për kaq shumë kohë, Big Tech ka shtypur zërat konservatorë.” – tha djali i ish-presidentit, Donald Trump Jr., për Fox News në një intervistë.
“Sonte babai im nënshkroi një marrëveshje përfundimtare bashkimi për të formuar atë që në fund do të jetë Grupi i Mediave dhe Teknologjisë Trump dhe TRUTH Social – një platformë për të gjithë për të shprehur ndjenjat e tyre.”
Twitter, Facebook dhe platforma të tjera të mediave sociale e ndaluan Donald Trumpin nga shërbimet e tyre pasi qindra mbështetës të tij bënë protesta në Kapitolin e SHBA-së më 6 janar.