Qyteti gjerman i Këlnit do të fillojë të lejojë xhamitë të transmetojnë thirrje për lutjet e së Premtes.
Muezini do lejohet të thërrasë ezanin për pesë minuta çdo javë rreth mesditës jashtë xhamisë, tha zëdhënësja e qytetit Katja Reuter.
Xhamitë e Këlnit duhet të aplikojnë për një leje speciale në mënyrë që të jenë në gjendje të transmetojnë thirrjen, shtoi Reuter. Nisma do zgjasë dy vjet para se të rivlerësohet.
Kryebashkiakja e Këlnit Henriette Reker e ka mirëpritur vendimin dhe ka deklaruar se lejimi i thirrjes së muezinit është ‘shenjë respekti’.
“Nëse përveç tingujve të kambanave të kishës dëgjojmë edhe thirrjen e muezinit, kjo tregon se në Këln shumëllojshmëria vlerësohet dhe jetohet,” shtoi Reker.
Këlni ka një nga komunitetet më të mëdha myslimane në Gjermani dhe është shtëpia e rreth 35 xhamive. Shumica e myslimanëve në rajon fillimisht erdhën nga Turqia si punëtorë mysafirë gjashtëdhjetë vjet më parë dhe më pas sollën familjet e tyre.
Vetëm disa vende faljeje në të gjithë Gjermaninë, si në qytetet perëndimore të Oer-Erkenschëick dhe Düren, kanë transmetuar thirrjen e muezinit për vite me radhë, pavarësisht protestave të fqinjëve të krishterë.