Vendosni fjalën kyçe....

Tritan Shehu kërkon interpelancë me ministren Manastirliu: Të ulet mosha e vaksinimit në 12 vjeç


Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka kërkuar mbajtjen e një interpelance me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Në një shkresë zyrtare drejtuar Kuvendit, Shehu e kërkon interpelancën lidhur me vaksinimin e qytetarëve kundër Covid-19, ku do të kërkohet llogari ministres mbi vaksinat e pacertifikuara që përdoren në Shqipëri, si dhe do të kërkohet informacion në lidhje me kohëzgjatjen e fushatës së vaksinimit.

Siç bën me dije Shehu në një postim në Facebook, një pikë tjetër që do të trajtohet është dhe vaksinimi i fëmijëve. Shehu kërkon uljen e fashës së vaksinimit në mbi 12-vjeç.

DEKLARATA E SHEHUT

Interpelanca e kërkuar nga unë dhe depozituar me datë 19 tetor, ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për strategjinë e vaksinimit Covid në vendin tonë, bazuar në këto çështje:

1-Për domosdoshmërinë e vaksinimit Covid të popullësisë, duke përcaktuar edhe llojet e vaksinave, që do të përdoren sipas grup moshave e individualiteteve të qytetarëve.

2-Për domosdoshmërinë e deklarimit të një afati final për përfundimin e vaksinimit masiv për imunizimin e të paktën 85% të popullësisë.

3-Për domosdoshmërinë e ndërprerjes së përdorimit të çdo vaksine të pa certifikuar nga EMA dhe vazhdimin e procesit vetëm me të tilla.

4-Për nevojën e rivaksinimit të të gjithë atyre që u janë aplikuar vaksina të pa certifikuara e të pa efektshme, si ato kineze e ruse.

5-Për domosdoshmërinë e aplikimit të dozës së tretë të vaksinave.

6-Për uljen e moshës së vaksinimit së pari në 12 vjeç.

7-Për strategjinë e përdorimit të “Green Pass” Covid për vaksinat, me efekte kjo brenda e jashtë vendit dhe për politikët e tjera në stimulim të vaksinimit.

8-Për domosdoshmërinë e përmirësimit të sistemit parësor, spitalor, mbrojtjes së personelit shëndetësor në muajt që vijnë, për të përballuar përkeqësimin e gjendjes.

9-Për politikat e aplikimit të testimeve ndaj Covid prej Qeverisë.