Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj pas largimit të maxhorancës nga mbledhja: Strategji e tyre, me forcën e kartonit duan të kufizojnë të drejtën tonë për të hetuar


Pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit Hetimor për Zgjedhjet e 25 Prillit, kryetari i këtij komisioni Enkelejd Alibeaj, akuzoi maxhorancën se ka një strategji për të penguar hetimin.

Alibeaj doli në një deklaratë për mediet, ku foli për largimin e deputetëve socialistë nga mbledhja.

 “Sot u mblodhëm në mbledhjen e komisionit hetimor ajo e cila dështoi dy ditë më parë për arsye që janë publike, mospjesëmarrja e PS. U mblodhëm sot sipas njoftimit me të njëjtin rend dite. Rendi i ditës i mëparshmi, pasi miratuam 4 pikat e para, e fundit ishte pika e rregullores. Kërkuan kohë, dy ditë kohë, nuk erdhën në ditën e caktuar dhe sot u mblodhëm dhe siç u ra dakord caktuam nga 2 përfaqësues për secilën palë, të cilët relatuan sot nëse kishin arritur një dakordësi apo jo mbi një draft. Nuk ishte arritur në dakordësi dhe për këtë arsye ishte e detyrueshme të kalohej në votim.

U miratua pa asnjë votë kundër dhe befasisht u larguan të gjithë anëtarët e PS. Kjo është një strategji për të pamundësuar mbledhjet. Pa asnjë arsyetim.”– deklaroi Alibeaj.

Dy palët nuk ranë dakord për rregulloren e komisionit, ku opozita nuk miratoi dy propozimet e PS-së.

 “Dy ishin propozimet e palës tjetër, drejtimi komisionit, ligji e përcakton fare qartë. Propozimi tjetër ishte akoma më i rëndë dhe demaskon qëndrimin e PS-së. Një çështje që ka pasur debat por që është zgjidhur fare qartë, bëhet fjalë për të drejtën e çdo anëtari të komisionit hetimor për të kërkuar marrjen e provave dhe kjo e drejtë pranohet pa votim. Është e drejtë e çdo anëtari të kërkojë dokumente, ballafaqim dhe ekspertë. E drejta për të hetuar.

Komisioni hetimor është kërkuar nga opozita, e drejta e opozitës për të hetuar sipas ligjit është e fituar dhe nuk votohet. Kërkesa për hetime, për të marrë prova, për të thirrur kryeministrin, ministrin, apo çdo titullar, duhet t’i nënshtrohet votimit, votimit nga shumica socialiste. Është e thjeshtë për t’u kuptuar se çdo kërkesë e deputetëve për të votuar do të rrëzohej me forcën e kartonëve. Për këtë arsye nuk u ra dakord dhe për këtë arsye ishte dhe largimi.”– tha Alibeaj.