Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada e Rusisë: Trupat e pajetë të 4 turistëve u nisën në Rusi, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë


Ambasada Ruse në Tiranë ka reaguar përsëri në lidhje me tragjedinë e ndodhur pak ditë më parë në një hotel në Qerret të Kavajës, ku 4 turistë rusë u gjetën të pajetë.

Ambasada e Rusisë thotë se trupat e pajetë të katër turistëve, janë nisur sot për në vendlindje.

Po ashtu bëhet me dije se sipas legjislacionit rus, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë në Rusi për të zbuluar shkaqet e vdekjes.

“Në mëngjesin e hershëm të 22 tetorit trupat e pajetë të shtetasve rusë, të cilët humbën jetën në 15 tetor në territorin e Republikës së Shqipërisë, u nisën në Rusi me një fluturim të rregullt.
Sipas legjislacionit rus, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre.
Shpresojmë në marrjen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare, si edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë të organeve ligjzbatuese ruse dhe shqiptare për sqarimin e rrethanave të tragjedisë.”– thuhet në njoftimin e ambasadës.