Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi i përgjigjet Ramës për mbetjet: Pa pastruar politikën nuk mund të pastrohet territori


Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama në takimin e sotëm me kryebashkiakët.

Bardhi akuzon Ramën se i vetmi kontribut që Rama ka dhënë për pastrimin e mbetjeve është ndërtimi i inceneratorëve me qëllim për të vjedhur paratë e taksapaguesve, ndërsa thekson rëndësinë e Vetingut në politikë.

“I vetmi kontribut tetëvjeçar i Ramës për pastrimin e mbetjeve, është ndërtimi i inceneratorëve për t’u vjedhur paratë shqiptarëve…Pa pastruar politikën nuk mund të pastrohet territori. #vettingnëpolitikë”– shkruan Bardhi.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një mbledhje me kryetarët e bashkive dhe prefektët për menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve.

Ai u ka tërhequr atyre vëmendjen për çështjen e plehrave duke thënë se ka ardhur momenti për t’i dhënë goditjen e fundit vendgrumbullimeve të paligjshme të plehrave dhe keqfinancimit të pastrimit nga shumë njësi vendore.

Po ashtu Rama paralajmëroi se asnjë buxhet bashkiak nuk do të kalojë nëse nuk do të llogaritet pastrimi.