Vendosni fjalën kyçe....

Toni Gogu flet pas braktisjes së mbledhjes: Alibeaj injoroi të drejtën tonë për të paraqitur propozime


Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu, ka reaguar pas largimit të tij dhe kolegëve të maxhorancës nga mbledhja e sotme e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit.

Gogu akuzon kreun e këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj, se ka injoruar të drejtën e maxhorancës për të paraqitur propozimet e neneve të draft rregullores.

“Në shkelje të ligjit për komisionet hetimore (neni 10/1, 11/1, 13/2 dhe 24) dhe të rregullores së kuvendit (neni 25/2 , 34, 38, 49, 50, 51, 71, 75 e në mënyrë të posacme të nenit 76, Kryetari i komisionit hetimor zoti Alibeaj, në mënyrë të përsëritur injoroi të drejtën e maxhorancës për të paraqitur propozimet e neneve të draft rregullores deri në shkeljen flagrante të mos marrjes në konsideratë të rezultatit të votimit. Pas thirrjeve të vazhdueshme për të futur në shinat e ligjshmërisë procesin e votimit, u detyruam të kërkonim pushim sipas nenit 39/1, paragrafi 3. Ne mbetemi vullnetplotë për rifillimin në çdo moment të mbledhjes në respekt të plotë të Rregullores së Kuvendit.

Provokimit të vazhdueshëm për të nxjerrë komisionin nga udha e ligjshmërisë në përmbushje të funksionit të tij të hetimit e për ta kthyer në ‘foltore’ nuk do i përgjigjemi kurrë pozitivisht. Gjithashtu jemi të vendosur të mos lejojmë në asnjë moment në veprimtarinë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, imponimin e dhunshëm të kulturës së tyre partiake të votimit.”- thuhet në njoftimin e Gogut.