Vendosni fjalën kyçe....

Bashkëshorti reagon pas vrasjes së aktores në sheshxhirim, Baldwin është treguar mbështetës


Bashkëshorti i kinematografes që u qëllua dhe u vra nga Alec Baldwin në një aksident të çuditshëm gjatë xhirimeve të një filmi, ka zbuluar se aktori i shqetësuar kishte qenë ‘shumë mbështetës’ ndaj tij.

Halyna Hutchins, 42 vjeç, vdiq pak pasi u qëllua nga Baldwin rreth orës 13:50 të së enjtes në Bonanza Creek Ranch, pranë qytetit të Santa Fe në New Mexico, ku ata po xhironin filmin Rust.

Burri i Halyna-s, Matthew Hutchins, një avokat me të cilin ajo ka një djalë tetë-vjeçar, tha për DailyMail.com të premten: “Kam folur me Alec Baldwin dhe ai është shumë mbështetës”.

Policia ka bërë të ditur pak detaje për të shtënat, duke thënë vetëm se një ‘plumb’ është qëlluar nga një ‘pistoletë xhirimi’ dhe po heton ngjarjen. Një zëdhënës i Baldwin mbrëmë lëshoi një deklaratë duke thënë se ishin përdorur vetëm plumba manovër.

Matthew tha për DailyMail.com se ai hezitonte të komentonte mbi specifikat e tragjedisë në këtë kohë, dhe ishte duke përgatitur një deklaratë.

Për momentin, ende nuk kam pasur mundësi të përgatis një deklaratë, të cilën po planifikoj ta publikoj”, tha ai.

“Synimi im është që, e dini, të shpreh me fjalë disa nga gjërat në lidhje me jetën e saj dhe situatën, të cilat mendoj se janë më të rëndësishmet. Unë planifikoj ta postoj atë në Twitter sa më shpejt që të kem mundësinë më vonë.

“Është e qartë se ka shumë gjëra për tu marrë vesh sa herë që ka ndonjë vdekje në familje,” vazhdoi ai. “Ne po lëvizim për të adresuar të gjitha gjërat që duhet të bëjmë në terren. Ka shumë telefonata dhe mesazhe. Dhe ne e vlerësojmë shumë të gjithë simpatinë. Ndihet sikur njerëzit do të lëvizin malet”, tha ai.

“Një gjë që ne po përpiqemi të bëjmë është të ngremë një memorial me Institutin Amerikan të Filmit, AFI,” tha ai. “Dhe kjo është në proces, dhe do të ketë më shumë detaje në deklaratë.”

Në dy postime në Twitter të premten, Baldwin tha: “Nuk ka fjalë për të përcjellë tronditjen dhe trishtimin tim në lidhje me aksidentin tragjik që i mori jetën Halyna Hutchins, një gruaje, nënë dhe kolege e jona shumë e admiruar.

“Unë jam duke bashkëpunuar plotësisht me hetimin e policisë për të trajtuar se si ndodhi kjo tragjedi dhe jam në kontakt me bashkëshortin e saj, duke i ofruar mbështetjen time atij dhe familjes së tij.

“Zemra ime është thyer për burrin e saj, djalin e tyre dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin Halynën.”

Sipas dëshmitarëve në set, Baldwin u çudit pasi gjuajti plumbin fatal dhe pyeti: ‘Pse më dhanë një armë të vërtetë’

Vetëm dy ditë para tragjedisë, Halyna e buzëqeshur kishte postuar një foto të saj në xhirime së bashku me Baldwin dhe e rrethuar nga aktorët dhe anëtarët e ekuipazhit.

Një foto e bërë pas kësaj tregonte një Baldwin në ankth në anë të një parkingu, ndërsa në një foto tjetër ai shfaqej i shqetësuar teksa fliste në telefon.

E lindur në Ukrainë dhe e rritur në një bazë ushtarake sovjetike ‘të rrethuar nga nëndetëse bërthamore’, Halyna, ishte diplomuar si gazetare dhe kishte kaluar kohë në Evropë duke punuar në dokumentarë britanikë përpara se të shkonte në Los Anxhelos, ku kishte krijuar karrierën e saj dhe krijoi familjen.