Nënkryetari i PD-së, Rushaj, pohoi mbrëmjen e sotme se propozimet e selisë blu për ndryshimet kushtetuese nuk kanë aspak për qëllim një marrëveshje a pazar me shumicën po janë të përqendruara te interesat e qytetarëve.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, ndryshimet kushtetuese nëse do bëhen do kalojnë me votat e të dyja palëve.
Ai i bëri deklaratat në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24, ku përsëriti se opozita nuk e bën për vete këtë gjë po për të mirën e qytetarëve.
“Gjithmonë ka përpjekje për të parë çdo lloj diskutimi si një pazar i poshtër që tregon që këtu po bëhet një marrëveshje e pisët. Nuk është kështu. Nuk do kishte përsëri asgjë të keqe dhe nuk ka asnjë mënyrë tjetër procedurale që një propozim legjislativ i opozitës të kalonte pa votat e nevojshme. ne nuk i kemi, aq më tepër ndryshimet kushtetuese kërkojnë votat e dy palëve. Çdo ndryshim kushtetues është bërë me votat e gjithë palëve të përfshira. Kështu ka ndodh gjithmonë. Nëse do ketë të tilla, prapë do kalojnë me votat e dy palëve. Opozita nuk ka kërkuar diçka për vete. E ka bërë këtë që mos lejojë asnjë lloj justifikimi nga pala tjetër për të gjetur shkak për të ikur nga votimi. Jam i bindur që nuk i pëlqen propozimi për Vettingun se nuk e kanë pranuar as në 2018.Pra, dakordësia për disa rregulla loje nuk është as pazar i pisët asgjë.” – tha Rushaj.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani