Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Marija Zakharova në një deklaratë të publikuar në faqen e ministrisë ka reaguar lidhur me vendimin e Kosovës për t’i shpallur non grata dy zyrtarë rusë.
Zakharova tha se ky vendim “nuk do të ketë pasoja për statusin e tyre juridik”.
“Ne supozojmë ky hap i administratës së Prishtinës nuk do të ketë asnjë pasojë për statusin juridik të diplomatëve të përmendur rusë”, tha ajo.
Rusia i bëri thirrje misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK dhe forcave paqeruajtëse ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO, gjegjësisht KFOR-it që të reagojnë.
Zakharova e quajti “provokim të qëllimshëm” këtë vendim, dhe në favor të, siç shtoi, projektit perëndimor të Qeverisë së Kosovës, “e cila po ndjek një politikë agresive të drejtuar kundër Rusisë dhe rolit të saj konstruktiv në Ballkan”.
“I bëjmë thirrje UNMIK-ut dhe forcave ndërkombëtare në Kosovë, në kuadër të kompetencave të tyre në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të garantojnë sigurinë dhe kushtet e nevojshme për punën normale të personelit të zyrës ruse në Prishtinë. Ne presim garanci të duhura me shkrim nga administrata e OKB-së”, deklaroi Zakharova.
Sipas Zakharovës, zyrtarët e shpallur non grata janë të akredituar nga UNMIK-u.