Vendosni fjalën kyçe....

Alizoti: PD në krizë të thellë e rrezikon ekzistencën, s’është normale kjo ndarje mes demokratëve


Deputeti i PD-së, Alizoti, ka thënë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar se partia është në krizë të thellë dhe deputetët nuk mund të bëjnë sikur nuk e shohin atë.

Ai ka theksuar se mosqenia në foltoren e thirrur nga Berisha u ka kushtuar deputetëve duke qenë se baza është revoltuar me ta.

Sipas Alizotit pa u zgjidhur kriza në të cilin ndodhet vendi, asnjë diskutim tjetër nuk ka vlerë. Po kështu deputeti tha se PD rrezikon ekzistencën e saj.

“PD ndodhet në krizë të thellë. Nuk mund të bëjmë sikur s’e shohim. Ne na ka kushtuar mosqenia në foltore, se demokratët janë të revoltuar me ne. Duhet zgjidhur kjo krizë. Partia po vuan. Pa u zgjidhur kjo krizë çdo diskutim tjetër s’ka vlerë. Në anije ka rënë zjarri. Rrezikojmë ekzistencën si parti nëse nuk e adresojmë në institucione këtë problem. Mos bëjmë sikur nuk ekziston problemi. Nuk mund të shmangemi të bëjmë sikur nuk ka krizë. Kriza është aq e madhe sa rrezikohet ekzistenca e kësaj partie. Është bërë hall të shkosh në foltore e hall të mos shkosh. Nuk është normale kjo ndarje mes demokratëve.” – ka thënë Alizoti në mbledhjen e grupit parlamentar.