Vendosni fjalën kyçe....

Berlini reagon pas paralajmërimit të Erdoganit për dëbimin e diplomatëve: Jemi të shqetësuar dhe të hutuar


Gjermania thotë se nuk ka marrë asnjë urdhër zyrtar dëbimi për ambasadorin e saj në Turqi, por i ka pranuar me shqetësim deklaratat e Presidentit turk Tayyip Erdogan.

Në një deklaratë për mediet, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Steffen Seibert tha: “Sigurisht që ne kemi parë raportimet në media të deklaratave të Presidentit Erdogan. Megjithatë, ne nuk morëm asnjë njoftim zyrtar në lidhje me dëbimet ose diçka të ngjashme gjatë fundjavës.”

Zëdhënësi sipas “Reuters” shtoi se një dëbim i tillë do të ishte në kundërshtim me thellësinë dhe rëndësinë e lidhjeve dypalëshe midis Gjermanisë dhe Turqisë dhe se Gjermania ka qenë në kontakt me partnerët në Paris dhe Uashington gjatë fundjavës.

Kujtojmë se presidenti turk Erdogan deklaroi se kishte urdhëruar që të dërguarit e 10 aleatëve perëndimorë të shpalleshin ‘persona non grata’ pasi kishin kërkuar lirimin nga burgu të filantropit Osman Kavala, që akuzohet për grusht shteti.

Ministria e Jashtme nuk e ka zbatuar ende udhëzimin e presidentit, i cili do të niste përçarjen më të thellë me Perëndimin në 19 vitet e pushtetit të Erdoganit.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert tha se Berlini ka parë deklaratat e Erdoganit me “shqetësim”.

“Ne jemi të shqetësuar dhe të hutuar nga komentet e bëra nga presidenti turk.”- u tha gazetarëve zëdhënësi i qeverisë gjermane. “Por siç thashë, nuk ka ende një komunikim zyrtar nga pala turke. Duhet të presim dhe të shohim.”- shtoi Seibert.