Avokati Altin Goxhaj ka njoftuar se protestat kundër vaksinimit të detyruar që deri më tani janë zhvilluar çdo të shtunë, do të zhvendosen të martave.
Goxhaj shkruan se protesta e radhës do të mbahet në orën 17:00 në Sheshin “Nënë Tereza”, në formën e një gjyqi publik dhe do të quhet “GJYQI NUREMBERG NR 2”.
Ai paralajmëron se pjesmarrësit në këtë protestë do të jenë edhe firmëtarët e parë të Kallëzimit Penal për Krime kundër Njerëzimit.
Kujtojmë se deri më tani janë mbajtur 7 protesta të tilla kundër vaksinimit me detyrim, gjatë të cilave ka patur edhe protestues të proceduar penalisht apo shoqëruar në Komisariat, mes të cilëve edhe Goxhaj.
Në protestën e kaluar, avokati Goxhaj ka paralajmëruar se nëse kryeministri Rama nuk tërheq urdhrin për moslejimin e studentëve të pavaksiuar në auditore atëherë do nisin protestat ditore nga ana e studentëve.
“Çfarë marrëveshjeje ka bërë Edi Rama me shefin e Pfizer-it, Bourla, për t’i kthyer 600 mijë shqiptarë në kavie të kompanisë Pfizer. Nëse nuk e tërheq urdhrin atëherë nga e hëna nisin protestat e përditshme.” – shprehej Goxhaj.
Në konferencën e fundit për mediet, Komiteti Teknik i Ekspertëve rekomandoi edhe vaksinimin e fëmijëve të moshave 12-15 vjeç që kanë sëmundje me ulje të imunitetit.
“Fëmijët mbi 16-vjeç do të ftohen për t’u vaksinuar me konsensusin e prindërve. Do ftojmë për vaksinim edhe fëmijët 12-15 vjeç që kanë sëmundje me ulje të imunitetit.”– tha zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.