Partia Demokratike kërkon të drejtën për ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për çështjen “Becchetti” në Gjykatën Kushtetuese.
Këtë të hënë, nënkryetarja e PD-së Grida Duma si dhe Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike Gazment Bardhi kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese padinë për mosngritjen e komisionit hetimor për çështjen “Becchetti”, për vendimin e Kuvendit që e cilësojnë antikushtetues.
Në një deklaratë për mediet, zonja Duma tha se kryeministri Edi Rama ka frikë të hetohet sepse është shkaktar për humbjen e 120 milionë eurove.
“Padyshim fitorja e parë e PD-së është fakti që ata treguan publikisht që nuk miratojnë dot një komision hetimor sepse janë të qartë që është një çështje e humbur. Komisionet hetimore me ¼ e firmave të deputetëve mblidhen dhe janë të legjitimuar.
PD nuk mund të ndalojë në një fitore publike, mediatike. Rama ka frikë të hetohet sepse është i dështuar, shkaktar për humbjen e 120 milionë eurove. 120 milionë euro i arbitrazhit ndërkombëtar që ndëshkon Shqipërinë dhe duhet ta paguajnë shqiptarët, shkaktarë janë ata duke influencuar dhe tek gjykatat shqiptare.”– tha Duma.
E pyetur nga gazetarët nëse kërkesa e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor ishte veprim i vonuar, zonja Duma e mohoi këtë duke thënë se përkundrazi, PD është treguar e shpjetë lidhur me këtë: “Jeta parlamentare dhe komisioni hetimor nis kur nis parlamenti. S’mund të nisim në prill kur jemi në parlament në shtator. Kemi bërë hapat e parë që në fillimin e parlamentit, nuk jemi të vonuar, por të shpejtuar.”
Gazment Bardhi tha nga ana tjetër tha se pasi u bë publik vendimi për këtë çështje, PD depozitoi asokohe një kallëzim në SPAK, për vënien e përgjegjësve para drejtësisë.
“Asokohe kur vendimi u bë publik, PD ka depozituar një kallëzim në SPAK për përgjegjësit e kësaj afere. Bëhet fjalë për një hetim parlamentar, për përgjegjësinë administrative të zyrtarëve. Që në prill kur janë depozituar faktet kemi dorëzuar në SPAK kallëzim.
Dhe kemi paraqitur kërkesën për komision hetimor. S’ka pasur bisedime të tjera për inceneratorët dhe kanë kërkuar 1 javë kohë. Të enjten pritet vendi. Duam që të hetohet afera e inceneratorëve dhe jo të krijojmë grup pune.”– shtoi Bardhi.