Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka deklaruar sot se Kuvendi i PD-së do mblidhet ashtu siç ka njoftuar në foltoret e tij, ish-kryeministri Berisha.
Ai tha se në mbledhjen e grupit parlamentar të pasdites së sotme edhe deputeti Alizoti kanë kërkuar Bashës që të kuptojë se PD-ja është në krizë të thellë dhe se ka nevojë për zgjidhje.
Noka shtoi më tej se Kuvendi do mblidhet për të kthyer ligjshmërinë e respektimin e statutit në parti.
“Ajo që ndodh sot në mbledhje ishte tendenca për të vazhduar te diskutimet e rudinës, ndërkohë që PD është në krizë të thellë. Ju kërkua edhe nga unë, edhe nga Alizoti, që të kuptohet se kjo parti është në krizë të thellë dhe askush nuk mund të fshihet. Kërkohet zgjidhje, që është përtej karriges së kryetarit. Kjo gjë u kërkua nga unë, Alizoti dhe të tjerë. E rëndësishme më shumë se të gjitha është se Kuvendi Kombëtar i PD do të mblidhet, sic ju bë me dije edhe Bashës sot. Ai mblidhet për të kthyer ligjshmërinë, për të diskutuar statutin, për t’i dhënë frymëmarrje PD. Është Kuvendi i PD, as i Nokës, as i Bashës. Ai do të mblidhet dhe askush në këtë vend nuk ka forcë ta ndalojë.” – tha Noka.