Vendosni fjalën kyçe....

Pas arrestimit, lordi kolumbian i drogës Otoniel do të ekstradohet në SHBA


Kolumbia ka njoftuar se trafikanti më i kërkuar i drogës në vend, pas arrestimit do të ekstradohet në SHBA.

Dairo Antonio usuga, i njohur më mirë si Otoniel, u kap të shtunën pas një operacioni të përbashkët të ushtrisë, forcave ajrore dhe policisë.

Ai drejtoi bandën më të madhe kriminale në vend dhe ka qenë prej vitesh në listën e më të kërkuarve të Agjencisë Amerikane të Zbatimit të Drogës.

Zyrtarët amerikanë kishin vendosur një shpërblim prej 5 milion dollarësh për kokën e tij. Ata e akuzojnë Otoniel për importimin e të paktën 73 tonë metrikë kokainë në vend midis viteve 2003 dhe 2014.

Ministri i Mbrojtjes së Kolumbisë, Diego Molano, i tha gazetës “El Tiempo” se hapi tjetër për zyrtarët ishte respektimi i urdhrit të ekstradimit në SHBA.

Autoritetet tani e kanë çuar Otonielin në një bazë ushtarake në kryeqytetin Bogotá, përpara ekstradimit të tij.

Presidenti Iván Duque e përshëndeti kapjen e lordit të drogës në një video-mesazh televiziv.

“Kjo është goditja më e madhe ndaj trafikut të drogës në vendin tonë për këtë shekull.”- tha ai, citon BBC. “Kjo goditje është e krahasueshme vetëm me rënien e Pablo Escobar në vitet 1990.”