Shqipëria ka nisur punën për të pritur përsëri një nga stërvitjet më të mëdha “Defender 2023”.
Për këtë u organizua edhe Konferenca koordinuese, ku morën pjesë Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneralmajor Bajram Begaj, ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim si dhe përfaqësues të lartë ushtarakë të SHBA dhe Shqipërisë.
Ambasadorja Kim gjatë ceremonisë, theksoi se është mesazh i fuqishëm vendosja e flamujve të vendeve tona krah për krah.
“Të shohësh flamujt e vendeve tona në uniformat e atyre që stërviten krah për krah, dërgon një mesazh të fuqishëm për miqtë tanë, ashtu edhe për kundërshtarët tanë, se kombet tona nuk do të prapësohen së mbrojturi miqtë dhe aleatët tanë… Përgjatë kohës tuaj këtu në Shqipëri, jam e sigurt se do të përjetoni të njëjtën mikpritje, ngrohtësi dhe bukuri të Shqipërisë që unë kam dëshmuar. Shqipëria, ashtu si kombet e përfaqësuara në këtë vend, është e përkushtuar ndaj aleatëve të saj në NATO dhe ka treguar vazhdimisht se është një mike dhe aleate e vërtetë dhe guximtare e Shteteve të Bashkuara. Ne nuk mund të kishim kërkuar më shumë se kaq.”– u shpreh ambasadorja Kim.
Nga ana tjetër, ministri Niko Peleshi gjatë fjalës së tij e cilësoi një histori suksesi stërvitjen “Defender 2021”, e cila u zhvillua disa muaj më parë.
Ai tha se kjo stërvitje mbetet një mjet i fuqishëm i komunikimit strategjik të paqes dhe sigurisë.
“Kjo stërvitje shkon përtej gjithë dimensionit ushtarak dhe konfirmoj përfshirjen dhe gatishmërinë e të gjithë qeverisë për të ndihmuar dhe lehtësuar të gjitha kërkesat specifike dhe të përgjithshme për ekzekutimin e saj të shpejtë. Stërvitje të tilla me shikueshmëri të lartë tregojnë rëndësinë strategjike të Politikës së Zgjeruar të Parandalimit të SHBA-së për NATO-n dhe aleatët dhe partnerët e saj evropianë si dhe rithekson angazhimin e fortë që Aleanca, dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara, i kushtojnë rajonit tonë. “Defender Europe” për ne, mbetet një mjet i fuqishëm i komunikimit strategjik i paqes, sigurisë, stabilitetit dhe garancisë për qytetarët tanë, vendet e rajonit dhe mbarë Evropën.”- tha Peleshi.
Ai siguroi mbështetjen dhe ndihmën maksimale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FA për stërvitjen e radhës Defender 23, ndërsa konfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë që të shërbejë sërish si vend pritës për serinë e Defender.