10 ambasadat në Turqi njoftuan të hënën se respektojnë nenin 41 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, i cili u bën thirrje të dërguarve të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të shteteve ku shërbejnë.
Njoftimi nga SHBA, Kanadaja, Finlanda, Suedia, Danimarka, Norvegjia, Zelanda e Re, Holanda, Gjermania dhe Franca erdhi pasi të 10 vendet javën e kaluar bënë thirrje për lirimin e Osman Kavala, një biznesmen turk i cili është burgosur për rolin e tij të supozuar në protestat e Parkut Gezi të 2013-ës dhe trazirat pasuese, dhe në Grushtin e Shtetit të vitit 2016.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përshëndeti deklaratat e ambasadave perëndimore se do të respektonin konventën diplomatike për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të vendit pritës, sipas burimeve presidenciale.
Më herët, Ministria e Jashtme turke kishte thirrur ambasadorët e këtyre vendeve, duke i akuzuar ata për ndërhyrje në gjyqësorin turk.
Erdogan kishte thënë se kishte urdhëruar ministrin e Jashtëm të shpallte 10 ambasadorë “persona non grata” lidhur me deklaratën e tyre për rastin në vazhdim të Kavalës.