Vendosni fjalën kyçe....

Zarfi me plumba u vjen në shtëpi, kërcënohen me vdekje kryeministri slloven dhe ministri i Mbrojtjes


Kryeministri slloven Janez Jansha ka marrë një pako përmes së cilës ai dhe familja e tij janë kërcënuar me jetë, ndërsa një kërcënim të ngjashëm ka marrë edhe ministri i Mbrojtjes Matej Tonin.

Të paktën kështu kanë raportuar mediat sllovene mbrëmjen e kaluar.

Sipas këtyre raportimeve, kryeministri Jansha ka marrë kërcënime me vdekje në një zarf të dërguar në adresën e tij private, gjë që është konfirmuar edhe nga zyra e kryeministrit.

Policia po heton lidhur me rastin.

Mediat raportuan se Jansha dhe ministri Tonin morën letra në adresat e tyre të premten, të cilat përmbanin kërcënime me vdekje dhe përmbanin “municione të kalibrit më të madh”. Kërcënimet ishin edhe për anëtarët e familjes së Janshës.

Thuhet se kjo nuk është hera e parë që kryeministri slloven kërcënohet në këtë mënyrë. Vetë Jansha postoi fotografi të zarfit me plumb brenda në rrjetet sociale.

“A e njeh ndokush këtë stil kërcënimi?”– shkruan ai.