Vendosni fjalën kyçe....

Alarmi i kolegëve: Raportimet ndaj Thoma Gëllçit po godasin procesin ligjor


Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve kanë reaguar lidhur me raportimet e bëra në medie, lidhur me arrestimin e ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllci.

Në një deklaratë zyrtare për mediet, kolegët kërkojnë që respektohet rregulli për prezumimin e pafajësisë deri në vendim të gjykatës, ndërkohë që apelohet për një proces gjyqësor sa më të drejtë dhe transparent.

“Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve, shprehin shqetësimin e tyre për shkeljen e prezumimit të pafajsisë dhe në ndonjë rast pasqyrimin, jo profesional të disa mediave, në raportimin e arrestimit të ish Drejtorit të Përgjithshëm të Transmetuesit Publik, Thoma Gëllçi!

Ndërkohë theksojmë që dosja gjyqësore do të gjykohet vetëm nga gjykata dhe do të jetë ajo që do të jap verdiktin e saj!

Shoqatat e Gazetarëve apelojnë për një proces, sa më të drejtë, të hapur dhe transparent!”– thuhet në reagimin e Unionit të gazetarëve.

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e ka lënë në burg ish-drejtorin e RTSH-së Thoma Gëllçi dhe tre ish-vartësit e tij, anëtarë të komisionit të ofertave Ervin Muraj, Julian Tapia, Alban Malaveci, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Ata akuzohen se kanë favorizuar dhe nuk kanë bërë një garë të drejtë, duke bërë shpalljen e procedurës së tenderit që kap vlerën e 86 milionë lekëve pa TVSH, përpara se të merrte miratimin nga AMA për hapjen e kanalit TVSH AGRO.