Vendosni fjalën kyçe....

Eksperti i pavarur në Opinion, pjesë e grupit “Duam Kasetën” të Dash Pezës


Mbrëmjen e kaluar në emisionin “Opinion”, Blerim Gjeladini ishte i ftuar si ekspert i pavarur, për të shoshitur çështjen e mbështetjes nga demokratët për kryetarin aktual të PD-së Lulzim Basha dhe liderin historik të kësaj force politike, Sali Berisha.

Analisti Gjeladini, i ftuar si përfaqësues i kompanisë ‘Terra Data Analytics’ që merret me analizat e postimeve në mediat sociale nëpërmjet algoritmeve, tregoi se si Berisha kishte një mbështetje shumë herë më të madhe se sa Basha.

Por Gjeladini i cili u prezatua si analist i pavarur, rezultonte nga vetë postimet e tij në rrjetet sociale si një mbështetës i kryeministrit Rama.

Përveç kësaj, Blerim Gjeladini duket se ka qenë pjesë e fushatës së grupit të  Rilindjes, të cilët akuzonin Lulzim Bashën dhe kërkonin të jepte llogari mbi zhdukjen e kasetës së famshme të masakrës së Krushës, të filmuar nga kameramani Milaim Bellanica. Një fushatë e cila doli në fund bllof.

Në një postim në “Twitter” më 24 nëntor të vitit të kaluar, Gjeladini kërkonte njëlloj si kryeministri Edi Rama, që Basha të jepte llogari për zhdukjen e asaj kasete.

“Lulzim Basha kur ishte në Kosovë hante bukën e mikut dhe bënte duan e armikut”– shkruante Gjeladini duke e shoqëruar postimin me hashtagun “#duamkasetën”.

Si doli bllof Rilindja me çështjen Bellanica?

Në dhjetor të vitit të kaluar, Top-Channel nisi një seri akuzash ndaj Lulzim Bashës, lidhur zhdukjen e kasetës së masakrës së Krushës në Kosovë, që sipas Milaim Bellanicës, personit që ka kryer filmimet, është marrë nga kryedemokrati i cili nuk e ka kthyer mbrapsht.

Kameramani Milaim Bellanica u shfaq duke e akuzuar Bashën se kishte zhdukur kasetën origjinale të masakrës së Krushës, të filmuar nga Bellanica gjatë luftës në Kosovës dhe i kishte dorëzuar atij vetëm kopjen. Ai kërkonte kasetën mbrapsht që ta publikojë për të treguar krimet serbe.

Kryeministri Edi Rama por edhe përfaqësues të Rilindjes, si Taulant Balla, kërkonin vazhdimisht nga Basha që të jepte llogari për rolin e tij lidhur me zhdukjen e kësaj kasete.

Mirëpo një shkrim i BBC-së, që daton 4 prill 1999, ka në përbërje të tij pamjet e masakrës së Krushës dhe një shkrim që e shoqëron. Gjë që hedh poshtë akuzat ndaj kryedemokratit (lexo këtu).

Në shkrim thuhet se videoja është siguruar nga korrespondenti i BBC-së, George Alagiah dhe se ajo është filmuar nga një kameraman amator, i cili rrezikoi jetën e tij duke e kontrabanduar videon nga Kosova. Kameramani është pikërisht Milaim Bellanica, i cili ia ka dorëzuar videon e filmuar korrespondentin të BBC-së, sipas shkrimit të medias britanike.

Fushata e orkestruar nga Top Channel kundër Lulzim Bashës në fakt është kthyer në “autogol” sepse në epiqendër si njeriu që ka aksesuar i pari videot e masakrës është miku i Edi Ramës dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste Dashamir Peza.

Në fakt, lidhur me këtë çështje që bëri kaq shumë zhurmë, Hashtag.al publikoi një video, pamjet e së cilës janë të datës 4 Prill 1999, dhe ku duken 3 persona: Gazetari britanik George Alagiah, dëshmitari Milaim Bellanica (në mes) dhe përkthyesi Dashamir Peza (në rreth). Kjo video tregon pikërisht se ka qenë Peza shqiptari i parë që ka marrë kasetën e plotë. (Lexo këtu).

Dashamir Peza, në vitin 1999 punonte si shoqërues dhe përkthyes i gazetarit britanik George Alagiah.

Vetë Peza, ka rrëfyer në një intervistë se ai dhe grupi i BBC-së kishin marrë një kasetë, që tregonte masakrën e tmerrshme serbe në Krushë.

Sipas tij, në kasetë ishin pamje të tmerrshme, të cilat ai nuk kishte mundur dot t’i shihte të plota. Ai tregonte se në dijeninë e tij, kasetën Bellanica ia kishte dhuruar BBC-së./Hashtag.al