Prokuroria ka nisur hetimet pas shtimit të rasteve me helmim në spitalin e Krujës.
Sipas televizionit “News 24”, organi i akuzës po heton për ‘ndotje e ajrit e ujërave’.
Nga dita e dielë dhe deri më sot janë paraqitur rreth 370 qytetarë pranë spitalit për të kërkuar ndihmë pasi kanë pasur shenja helmimi. Rreth 60 prej tyre janë fëmijë.
Në qytetin e Krujës ka 2 depozita uji të pijshëm, të cilat dyshohet se janë përzier me kanalizimet e ujërave të zeza. Megjithatë ende nuk ka asgjë të konfirmuar.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila vizitoi sot spitalin e Krujës u shpreh se nëse do të ketë raste të shtuara janë marrë masat që për trajtimin e pacientëve të vendoset në dispozicion një pavion i caktuar në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Ajo theksoi se tashmë kanë nisur hetimet epidemiologjike.