Vijon fluksi i qytetarëve që paraqiten në spitalin e Krujës për të marrë ndihmë mjekësore me simptoma të helmimit.
Mësohet se nga mëngjesi i së dielës e deri më tani, numri i pacientëve të shtruar në spital në Krujë, me simptoma helmimi, ka shkuar në mbi 320, mes të cilëve 60 fëmijë.
Paraprakisht dyshohet se shkak për helmimin është bërë uji i përdorur për të pirë, që u vjen në çezma banorëve krutanë.
Sipas drejtoreshës së spitalit të Krujës, Yllka Sheta, pavarësisht fluksit të pacientëve situata është nën kontroll.
“Kjo situatë vijon që nga e diela në mëngjes. Me shenja helmimi kanë ardhur rreth 300 qytetarë. Nuk ka patur raste të rënda që t’i dërgonim për mjekim të specializuar në Tiranë, kanë marrë të gjithë shërbimin këtu. Situata është nën kontroll.”– thotë drejtoresha e spitalit, citon Shqiptarja.com.
Mësohet se në qytet ka janë dy depozita uji. Të dyja depozitat kanë qenë të mbyllura dhe të ruajtura me roje dhe kamera. Dyshimet janë se mund të jenë përzier në kanalizime ujërat e zeza dhe uji i pijshëm.
Një nga pacientët e shtruar në spitalin e Krujës, ka treguar edhe një video që ai i ka bërë filtrit të iujit të vendosur në banesën e tij.
Sikurse shihet në viden e mëposhtme, filtri është bërë i zi, duke treguar cilësinë e dobët të ujit që i shkon në çezma banorëve të Krujës.
I njëjti pacient thotë se kjo është një situatë e përsëritur, pasi shprehet se ka patur të njëjtat simptoma helmimi 3 muaj më parë.