Banorët e Krujës po përballen me një situatë të vështirë lidhur me helmimin masiv që ka prekur qytetin me qindra persona që është dashur të kërkojnë ndihmë mjekësore në spital.
Ndërsa prefekti i Qarkut Durrësit, Roland Nasto ka thënë se në Krujë do shpërndahej ujë falas pas ndërprerjes së furnizimit, banorët nuk kanë marrë ende asnjë furnizim. Tashmë kanë kaluar 5 orë që qytetarët e Krujës kanë mbetur pa ujë, shkruan Shqiptarja.
Uji i pijshëm dyshohet të jetë shkaku i helmimit të më shumë se 370 qytetarëve të Krujës. Megjithatë nga një vëzhgim në depon e ujit të qytetit rezulton se ai është në fakt si një ‘han pa porta’.
Atje nuk ka asnjë roje ndërsa dryni që mban të kyçur derën, hapet lehtësisht më dorë.
Shkaku i helmimit nuk është përcaktuar ende dhe priten analizat e ekspertiza që do e përcaktojnë.