Vendosni fjalën kyçe....

SHBA do rihapë udhëtimin ajror, por do të kërkojë vaksinimin e plotë dhe një test Covid


Turistët e huaj do të mund të hyjnë sërish në SHBA, nga data 8 nëntor, por do të duhet të tregojnë prova të vaksinimit të plotë dhe një test negativ për Covid-19, ose një test negativ të së njëjtës ditë, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Duke përmendur vaksinimet, testimin dhe mbajtjen e maskave si mënyra më e mirë për të zbutur përhapjen e Covid-19, Presidenti Joe Biden deklaroi të hënën se SHBA do ‘largohet nga kufizimet e aplikuara më parë’ dhe të miratojë një politikë ‘që mbështetet kryesisht në vaksinimin për të çuar përpara rifillimin e sigurt të udhëtimeve ajrore ndërkombëtare’ në SHBA.

Kufizimet origjinale të udhëtimit, të vendosura në mars 2020 dhe të rinovuara nga Biden në fillim të këtij viti, do të hiqen brenda dy javësh. Megjithatë, ato do të zëvendësohen me kufizime të reja që përfshijnë statusin e vaksinimit dhe gjurmimin e kontaktit.

Vaksinat e pranuara do të jenë vetëm ato të miratuara ose të autorizuara nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ose Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Linjave ajrore do t’u kërkohet të verifikojnë dëshminë e vaksinimit të udhëtarëve kundër Covid-19 dhe të japin informacionin e tyre të kontaktit tek autoritetet federale të SHBA.

Edhe pasagjerët e vaksinuar plotësisht do të duhet të dorëzojnë një test negativ për Covid-19 të marrë në tre ditët e fundit para fluturimit të tyre, ndërsa ata pa dëshmi të vaksinimit do të duhet të tregojnë një test negativ të së njëjtës ditë, sipas zyrtarëve.