Vendosni fjalën kyçe....

Tre fëmijë të mbytur pas fundosjes së gomones me emigrantë në brigjet e Greqisë, momente nga operacioni i shpëtimit (VIDEO)


Publikohen pamjet nga përpjekjet dramatike të efektivëve të Rojës Bregdetare të Greqisë, gjatë operacionit të shpëtimit të emigrantëve, pas fundosjes së gomones së tyre.

Ministri i Migracionit i Greqisë tha se tre fëmijë kanë vdekur, pasi një gomone që transportonte emigrantë nga brigjet e Turqisë, u fundos të martën pranë ishullit lindor grek, Kios. Në gomone udhëtonin gjithsej 27 persona, nga të cilët një është zhdukur dhe katër kanë humbur jetën. Prej tyre tre fëmijë. Viktima tjetër është një grua, rreth 40 vjeç.

Gazeta greke Protothema raporton se në të njëjtën kohë, vazhdojnë kërkimet me anije për gjetjen e personit të zhdukur, ndërsa 22 emigrantë janë shpëtuar (14 burra, 7 gra dhe një fëmijë).

Gomonia është fundosur teksa emigrantët po tentonin të kalonin ngushticën Kios-Çesme dhe të zbrisnin në brigjet e ishullit. Sipas informacioneve të Rojës Bregdetare…“anija në fjalë ishte nisur nga bregu turk i ngarkuar me një numër të madh pasagjerësh. Ky fakt në ndërthurje me kushtet e pafavorshme të motit, çoi në shkëputjen e bykës (dyshemesë së varkës) të skafit të palundrueshëm dhe si pasojë në gjysmëmbytje të saj. Theksohet se asnjë nga pasagjerët nuk ka sjellë jelek shpëtimi individual”.

Deputeti grek Notis Mitarakis tha në një postim se “Ky është realiteti i shfrytëzimit të emigrantëve nga bandat kriminale në Egje”.

Ai theksoi se autoritetet turke duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar shfrytëzimin e bandave kriminale.