Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj i përgjigjet Gogut: Unë i mbledhur jam, por nuk kam fuqi të mbinatyrshme t’ju mbledh ju


Kryetari i Komisionit të Hetimit për zgjedhjet e 25 Prillit Enkelejd Alibeaj, i është përgjigjur zv.kryetarit socialist Toni Gogu i cili i bëri atij thirrje të “mbledhë veten dhe të vëjë rregull” në punimet e komisionit.

Por Alibeaj iu përgjigj se nuk ka “fuqi të mbinatyrshme t’ju mbledh dot ju”. Alibeaj kujtoi mbledhjen ku anëtarët socialistë të këtij komisioni u larguan të gjithë njëri-pas tjetrit ndërsa miratohej rregullorja e Komisionit.

“E para e pranoj plotësisht ftesën e zv kryetarit Toni Gogut për tone të qeta, për vetëfrenim dhe për të vendosur në plan të parë interesin e këtij komisioni. Qëllimi që të ecim një orë e më parë me këtë hetim.

Së dyti, lidhur edhe me pretendimet tuaja, më bëtë thirrje të mbledh veten, unë jam i mbledhur këtu, kam qenë i mbledhur këtu të treja këto mbledhje të Komisionit Hetimor, por nuk ju mbledh dot juve.

Nuk ju mbodha dot në 20 tetor që kishin caktuar datën dhe orën, nuk erdhët. Nuk ju mblidhja dot se ikët në mbledhjen e mëparshme, ikët pa arsye. Ikët pasi kishte filluar votimi, në parim e kaluam, arritëm deri tek neni 17. Por ikët. Nuk ju mbledh dot, nuk kam ndonjë fuqi të mbinatyrshme për t’ju mbledhur. E vetmja fuqi që ne kemi këtu është t’i qëndrojmë strikt ligjit për komisionet hetimore, rregullores së Kuvendit dhe mbi të gjitha dëshirës së sinqertë për të hetuar. Për të kryer punën, asgjë më shumë.” – u shpreh Alibeaj.