Vendosni fjalën kyçe....

“Armët s’vrasin, Alec Baldwin po – Djali i Donald Trumpit frymëzohet nga ngjarja për të shitur bluza, kritikohet


Djali i parë i ish-presidentit amerikan Donald Trump, që mban të njëjtin emër me të atin, e ka shfrytëzuar vrasjen tragjike të kineastes Halyna Hutchins nga aktori Alec Baldwin për të shitur bluza që tallen me ngjarjen.

Bluzat mbi të cilat janë stampuar fjalët “Armët nuk vrasin njerëz, Alec Baldwin vret njerëz”, po shiten në faqen e internetit të Trump Jr për 27.99 dollarë.

Mirëpo ai po përballet tanimë me kritika në rrjet me një pjesë që e akuzojnë atë se po bën “çdo gjë për të fituar para”.

Siç shkruan Daily Mail, disa e etiketuan djalin e ish-presidentit si ‘llum’ dhe ‘të neveritshëm’, ndërsa të tjerë inkurajuan familjen Hutchins ta padisë atë për përpjekjen për të përfituar financiarisht nga vdekja e Halynës.

Ndërkohë, Trump Jr ka reaguar ndaj kritikave që ka marrë dhe simpatisë së përhapur në rrjet për Baldwin pas të shtënave fatale.

Si një mbështetës i vendosur i amendamentit të 2-të dhe “të drejtës për të mbajtur armë”, Trump Jr akuzoi median se “mbron Baldwin nga kritikat sepse ata pajtohen me politikën e tij” dhe pretendon se Baldwin vetë do të kishte kritikuar çdo aktor tjetër po të ishin në vend të tij

“Më kurseni moralizmin tuaj të rremë. Media është në gjendje të plotë paniku për të mbrojtur Baldwin nga çdo kritikë sepse ata pajtohen me politikën e tij. Nëse këpuca do të ishte në këmbë tjetër, Baldwin do të ishte djali i parë që do të urrente këdo të përfshirë dhe mediat do t’i bashkoheshin atij.”- shkruan Donald Trump Jr.

Kujtojmë se aktori Alec Baldwin e përshkroi vrasjen si një “aksident tragjik” në një postim në Twitter javën e kaluar dhe që atëherë nuk ka folur fare me mediat.

“Nuk ka fjalë për të përcjellë tronditjen dhe pikëllimin tim në lidhje me aksidentin tragjik që i mori jetën Halyna Hutchins, një bashkëshorte, nënë dhe kolege e jona shumë e admiruar. Unë jam duke bashkëpunuar plotësisht me hetimin e policisë.”- shkruante Baldwin.

Vrasja e kineastes po trajtohet si një aksident dhe ndaj Baldwin nuk është ngritur asnjë akuzë.

Aktori 63-vjeçar, ka qenë prej kohësh një avokat i hapur për kontrollin e armëve në SHBA dhe shpesh herë ka bërë thirrje për shtrëngimin e ligjeve lidhur me të drejtën për të mbajtur armë.