Vendosni fjalën kyçe....

Blerina Gjylameti pas bojkotit në Komision: Kryetari Alibeaj po shkel ligjin dhe po vë në rrezik veprimtarinë hetimore, do kërkojmë masa disiplinore


Pas bojkotit të Komisionit Hetimor, anëtarja e PS-së e këtij komisioni, Blerina Gjylameti ka folur për mediet lidhur me incidentin e sotëm.

Ai ka akuzuar kryetarin e Komisionit Enkelejd Alibeaj, se po shkel ligjin duke vendosur në rrezik veprimtarinë hetimore.

Ajo tha se maxhoranca po konsultohet me ligjin dhe rregulloren, për të propozuar masa disiplinore për kryetarin e komisionit.

 “Jemi të gatshëm të hetojmë për të rritur besimin e qytetarëve shqiptarë në proceset zgjedhore. Por fakti që Komisioni Hetimor është iniciuar dhe është ngritur me kërkesë të Partisë Demokratike, nuk do të thotë që Kuvendi mund të kthehet në seli partiake.

Sot sikundër edhe e transmetuar në media, kryetari ka uzurpuar për të disatën herë kompetencat e komisionit duke vijuar në mënyrë arbitrare duke shkelur ligjin për Komisionet Hetimore, rregulloren e Kuvendit, duke mos hedhur në votim sipas radhës atë që ligji dikton. Së pari miratimin e Sekretarit.

Është mbledhja e katërt sot dhe ndërkohë ende nuk kemi votuar dhe nuk kemi miratuar Sekretarin e Komisionit Hetimor.

Së dyti miratimin e rregullores e mandej të vijonim me kërkesat për marrjen e provave.

Në kushtet e kësaj paligjshmërie kërkuam sipas rregullores 5 minuta pushim me shpresën që do të gjenim dakordësinë për të vijuar dhe për të kthyer Komisionin në shinat e ligjshmërisë.

Kërkesa jonë për pushim jo vetëm nuk u pranua por kryetari vijoi mbledhjen në kundërshtim të hapur me rregulloren e Kuvendit sa i takon kuorumit për vlefshmërinë e kësaj mbledhje.

Në këtë mënyrë jo vetëm vijohet nga ana e kryetarit arbitrariteti dhe paligjshmëria në drejtimin e Komisionit Hetimor, por rrezikohet seriozisht dhe veprimtaria e tij, pas çdo veprimi apo vendimi në kushtet kur mbledhja nuk ka kuorum.

Kryetari abuzon me procedurën në kurriz të asaj që pret i gjithë opinioni publik shqiptar. Një pyetje kemi: e kanë seriozisht hetimin e zgjedhjeve parlamentare këta? Apo e kanë si justifikim për të justifikuar humbjet e njëpasnjëshme?

Ne si maxhorancë po konsultojmë ligjin për komisionet hetimore, rregulloren e Kuvendit dhe kodin e sjelljes, për të propozuar masa disiplinore për kryetarin e Komisionit, në mënyrë që ky Komision të kthehet më në fund në shinat e ligjshmërisë. Ju faleminderit.”- deklaroi zonja Gjylameti.